
Kjo është një përmbledhje e zhvillimeve kryesore më të fundit në ditën e 15-të të pushtimit rus ndaj Ukrainës. (A2 Televizion)
- Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në Kiev bëjnë me dije se ushtria ukrainase ka nisur një kundërsulm ndaj forcave ruse, në një përpjekje titanike për të mbrojtur kryeqytetin.
- U zhvillua sot takimi në Antalia, mes ministrit të Jashtëm ukrainas, Kuleba dhe homologut të tij rus, Lavrov, për situatën e krijuar në Ukrainë. Në një konferencë për shtyp pas takimit, diplomati ukrainas deklaroi se negociatat shkuan mirë, por nuk arritën ndonjë konkluzion.
- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Shtetet e Bashkuara se po krijonin armë biologjike në Ukrainë, duke ia mbajtur këtë të fshehtë Bashkimit Europian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
- Autoritetet lokale në qytetin e Mariupolit kanë hapur një varrezë masive së fundmi për të varrosur viktimat e sulmeve ruse të cilat raportohen të jenë mbi 1200 në ditët e fundit.
- Vladimir Putin pretendon se Perëndimi po përpiqet të fajësojë Rusinë për gabimet e veta, duke vendosur embargo ndaj naftës ruse. Ai gjithashtu akuzoi shtetet perëndimore se po mashtrojnë popullsinë e tyre.
- Gjermania dhe Franca i kërkojnë Rusisë të vendosë një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë. Kancelari Olaf, Shcolz dhe presidenti Emmanuel Macron zhvilluan një bisedë telefonike me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin, për të diskutuar mundësitë e një zgjidhjeje diplomatike të krizës.
- Kryebashkiaku i Mariupolit ka deklaruar se nuk ka të dhëna mbi numrin e saktë të civilëve të vrarë në qytetin e tij, por ka thënë se nga rrugët janë mbledhur më shumë se 1200 trupa.
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mendojnë për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, për të ndëshkuar “krimet” që po bëhen në Ukrainë.
- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se qeveria e tij do të krijojë një program të posaçëm shtetëror kushtuar rindërtimit të çdo qyteti ukrainas të ndikuar nga pushtimi rus.
- Ministria ruse e Mbrojtjes i ka thënë agjencisë së lajmeve Interfax se do të hapë disa korridore humanitare drejt Rusisë, për njerëzit që duan të largohen nga Ukraina.