Partia Demokratike, përmes ish-deputetes Albana Vokshi ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Besa Shahini pas ngjarjes së rëndë që u regjistrua në shkollën 9-vjeçare “Azem Hajdari”, ku një e mitur u abuzua seksualisht nga roja.
Duke renditur të gjitha rastet e ngjashme të abuzimit me fëmijët në vitet e fundit në shkolla, Vokshi kritikon reagimin e qeverisë dhe shton se dorëheqja e Shahinit nuk mjafton.
“Shumë e drejtë kërkesa e të rinjve sot për dorëheqjen e Besa Shahinit. Heshtja e saj për rastin e së miturës së përdhunuar dhe më pas të abuzuar në shkollë është abuzim për së dyti me vajzën. Besa Shahini nuk mund të fshihet pas shkarkimit kaq të vonuar të drejtorit të shkollës. Këto janë vetëm rastet e denoncuara, por të gjithë e dimë se është vetëm maja e ajsbergut. Është vetëm ajo që duket nga një sistem i kalbur nga militantizmi dhe nga një shoqëri e ndrydhur dhe pa besim se abuzuesit e fëmijëve do të ndëshkohen. Besa Shahini duhet të japë dorëheqjen edhe për faktin se është treguar e pandjeshme ndaj rastit të 15-vjeçares së abuzuar. Ajo jo vetëm nuk është distancuar nga dhuna, por nga divani i shtëpisë, ia kaloi përgjegjësinë prindërve të vajzës”, shkruhet mes të tjerash në reagimin e Vokshit. (A2 Televizion)