
Në ditën e 13-të të luftës në Ukrainë, organizata botërore e shëndetësisë ngre alarmin mbi situatën shëndetësore në vend; sulmet kundër spitaleve dhe autoambulancave janë shtuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, dhe furnizimet jetësore mjekësore po përfundojnë.
The Guardian citon shefen e programit të emergjencave në OBSH Catherine Smallwood, sipas të cilës 9 persona kanë vdekur në 16 sulme kundër strukturave shëndetësore. me ritme të shpejta po përshkallëzohet edhe kriza e refugjatëve që po vërshojnë në dyert e shteteve fqinje për t’i shpëtuar bombave ruse.
Numri i atyre që kanë kaluar kufijtë e Ukrainës i ka tejkaluar 2milion sipas komisionerit të OKB Filipo Grandi. Ai e ka quajtur këtë eksodin masiv me rritjen më të shpejtë që prej luftës së dytë botërore.
Në përditësimin e fundit të të dhënave organizata e kombeve te bashkuara tha se në 13 ditë luftë ishin shënuar 1207 viktima civile, përfshirë 406 persona të vrarë dhe mbi 801 të plagosur.
Megjithatë bilanci real besohet të jetë shumë më i lartë. Siç thuhet shumica e viktimave janë shkaktuar në sulme ajrore dhe shpërthime, ndërsa qindra godina banimi janë shkatërruar në qytetet rreth Ukrainës.
Një gazetar raportohet të jetë vrarë deri më tani. OKB shprehet e shqetësuar edhe për burgosjen arbitrare të mbështetësve pro ukrainas në zonat që janë nën kontrollin ushtarak rus, e po ashtu për dhunën ndaj atyre qe konsiderohen pro rus në territoret në duart e qeverisë. (A2 Televizion)