Një film me metrazh të gjatë, thuajse një muaj. Mes lëvizjeve për të drejtat e njeriut, polemikave dhe gjesteve spektakolare në fushë dhe jashtë saj. Botërori 2022 i zhvilluar gjatë dimrit në Katar rezultoi një prej më emocionuesve të të gjitha kohërave, edhe pse është e vështirë të thuhet që ishte turneu më i bukur.
Finalja ishte një ndeshje ëndrrash dhe protagonistët e shumtë të pranishëm i respektuan pritshmëritë. Çmimin Oscar për aktorin më të mirë protagonist e mori metë drejtë Lionel Messi. Ylli argjentinas triumfoi në finalen përballë përbindëshit Mbappè. Ikonik ishte momenti kur 35-vjeçarit iu dorëzua trofeu.

Në këtë mënyrë Messi u kurorëzua me trofeun e vetëm që i mungonte. Kupa e botës e ngjit në Olimpin e lojtarëve më të mirë në histori, duke barazuar arritjen e idhullit tjetër të argjentinasve dhe jo vetëm, Diego Armando Maradona. Edhe ai episod u shoqërua me polemika. Kapitenit të Argjentinës, i veshën “bisht”, mantelin e zi me dekorime floriri, që në kulturën arabe mbahet nga personalitetet e larta gjatë ceremonive. Por, episodi nuk e prishi momentin më kulmor të karrierës së Messit.
Në Katar, Leo vendosi rekord pas rekordi. Ishte ai njeriu simbol i një edicioni për gola të shënuar dhe ndeshje të vendosura me penallti. Argjentina vuajti deri në fund, por mposhti Francën në finale dhe ngriti përherë të tretë në histori Kupën e Botës.
Pas Messit që zhbllokoi sfidën me penallti dhe golit të Di Marias, koha e rregullt përfundoi 2-2, me Francën që u ngjall në dhjetë minutat e fundit. Mbappe nisi spektaklin personal, duke shënuar dy gola në harkun e 97 sekondave. Në shtesë Messi shënoi sërish dhe Mbappe iu përgjigj, teksa me rezultatin 3-3, fituesi i Kupës së Botës u përcaktua pas ekzekutimit të penalltive.
Aty argjentinasit ishin më të saktë, duke fituar me shifrat 4-2, teksa Leo Messi u zgjodh edhe si Lojtari më i Mirë i ndeshjes. Ai ishte trofeu i pestë i këtij lloji, duke regjistruar një tjetër rekord nga 10-ta argjentinase.
Gjithçka për suksesin e tretë
Pas sukseseve të viteve 1978 dhe 1982, “Albiceleste” u rikthyen në majën e botës, pikërisht përballë francezëve, kampionë në fuqi.
Leo Messi u vlerësua me Topin e Artë si lojtari më i mirë i turneut. Me 26 ndeshje të luajtura në fazën finale të botërorit, ai kaloi legjendën gjermane Lothar Matthaeus.
Kapiteni i Argjentinës la pas edhe Paolo Maldinin për minutat e luajtura në këtë aktivitet, duke vendosur një primat të ri me 2332 minuta. Nëse në katër botërorët e kaluar nuk kishte arritur të shënonte asnjëherë në fazën me eliminim direkt, tashmë ai u bë lojtari i vetëm në histori që gjen rrugën e golit në të gjitha fazat e turneut.
Nga lojtarët ende në aktivitet, Leo Messi është ai që ka shënuar më tepër në Kupën e Botës. Gjithashtu, u bë i pari futbollist nga Amerika Latine që shënon si në finalen e Champions dhe në atë të Botërorit.
Messi e donte aq shumë këtë trofe, sa si asnjëherë më parë u shfaq në fushë duke vrapuar dhe mbrojtur. Ai nuk nguroi të debatonte me Louis van Gaal në ndeshjen me Holandën, në përballjen më të tensionuar të eventit.
“Asi nën mëngë” i Argjentinës që u kundërshtua fillimisht nga Maradona
Arma më tepër e kësaj Argjentine ishte trajneri Lionel Scaloni. Ai arriti të ringrinte albicelestët, edhe pse në vitin 2018 u emërua si trajneri përkohshëm i përfaqësueses.
Vendimi u kundërshtua nga opinioni sportiv në vendin latin. Të shumtë ishin ata që e kritikonin Scalonin, madje edhe legjenda DiegoArmando Maradona.Por me triumfin në Kupën e Amerikës në vitin 2021, ai idha ekipit trofeun e parë pas 28 vjetëve mungesë. Trajneri fitoi “Finalissima”-n kundër kampionëve të Europës, Italisë dhe e udhëhoqi Argjentinën drejt suksesit në Kupën e Botës në Katar, për një trofe të ëndërruar prej dekadash, të cilin përherë të fundit Maradona e fitoi në vitin 1986.
Messi ia njohu të gjitha meritat trajnerit. Menjëherëpas finales me Francën, ai e përqafoi dhe i tha ky trofe është i yti. Marrëdhënia e trajnerit me kapitenin është aq speciale,me Scalonin që i kërkoi Leos të vijojë të luajë me Argjentinën.
“Të kesh një lojtar si Leo në skuadër është luks. Shpresoj të mos jetë Botërori i tij i fundit. Fanellën me numrin 10 nuk duhet ta marrë askush, deri sa Messi të marrë një vendim. Ne vazhdojmë të shpresojmë. Ka fituar me të drejtë mundësinë që të zgjedhë çfarë dëshiron të bëjë me karrierën e tij dhe me përfaqësuesen e Argjentinës. Për mua ishte kënaqësi e jashtëzakonshme që punuam së bashku”, tha ai.
Përgjigjja e Messit nuk vonoi. Edhe pse nuk premtoi asgjë për Botërorin 2026, ylli argjentinas konfirmoi se do të vijojë të luajë me Argjentinën si kampion bote. “Dëshiroja ta mbyllja karrierën me këtë trofe. Nuk mund të kërkoj asgjë më tepër. Fitova Kupën e Amerikës dhe Kupën e Botës. E dashuroj futbollin, më pëlqen të luaj në Kombëtare, me këtë grup. Dua të luaj edhe disa ndeshje si kampion bote. Është ëndrra e çdo fëmije, kam qenë me fat që kam fituar gjithçka.
Njeriu që mund të thyejë Messi-n
Disa rekorde të “pleshtit” mund të thyhen vetëm nga një njeri: Kylian Mbappé. Edhe pse vetëm 24-vjeçar, ylli francez regjistron statistika të frikshme. Me katër gola në dy edicione, ai ka marrë menjëherë vendin e parë në librin e rekordeve të botërorit, si lojtari që ka shënuar më tepër në finalet e Kupës së Botës.

Mbappé fitoi Këpucën e Artë të eventit me 8 gola të shënuar, nga të cilët tre i realizoi vetëm në finalen përballë Argjentinës, ashtu si askush tjetër më parë në histori.
Vlerësim special meritonte portieri dhe njëkohësisht kapiteni i francezëve, Hugo Lloris. Me 20 ndeshje, ai u shndërrua në gardianin që kaluajtur më tepër ndeshje në Kupën e Botës, duke lënë pas Manuel Neuer me 19, qëme Gjermaninë e tij u eliminua prej fazës së grupeve.
Një primat të shkëlqyer vendosi edhe Luka Modric. Kapiteni që udhëhoqi Kroacinë drejt vendit të tretë të eventit, u shndërrua në lojtarin e parë që luan në tre dekada të ndryshme jo vetëm në Kampionatin europian, nga viti 2008 deri më 2020, por edhe në Kupën e Botës, ku debutoi në 2006-ën dhe luajti deri në Katar 2022.
Një çmim special meritonte edhe Maroku, surpriza më e madhe e eventit. Të udhëhequr nga Hakimi, Amrabat e Zyech, ata u shndërruan në skuadrën e parë afrikane që luajti në çerekfinalet dhe gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Ëndrra e tyre u shua në gjysmëfinale nga kualiteti i jashtëzakonshëm i Francës, teksa lodhja e mungesat e disa titullarëve ndikuan edhe në humbjen 2-1 të pësuar përballë Kroacisë, në finalen për vendin e tretë.
Finalja më e bukur
Përveç 6 golave të shënuar në finale, mes emocioneve dhe episodeve për njerëz me zemër të fort, rrjeta e fundit, e realizuar me 11-metërsh nga Mbappé kishte edhe rëndësi statistikore.
Botërori 2022 u bë eventi në të cilin janë shënuar më tepër gola, plot 172 të tillë. Vetëm një rrjetë më tepër se rekordi i mëparshëm që mbahej nga edicionet e viteve 1998 dhe 2014. Këtë herë mesatarja e golave në ndeshje ishte 2,69, më e larta e regjistruar prej eventit të vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara.
Në Katar u shënua edhe goli më i vonë në kohën e rregullt: në ndeshjen Angli-Iran, Mehdi Taremi vulosi rezultatin final 6-2, pas 102 minutave e 27 sekondave. Ajo ishte edhe ndeshja më e gjatë në histori, me plotë 117 minuta të kronometruara. Vetëm në pjesën e parë kishte 14 minuta e 8 sekonda shtesë dhe 13 minuta në pjesën e dytë.

Shtesat e gjata, si asnjëherë tjetër, ishin edhe një prej risive të këtij evenimenti. Por, zgjatja e ndeshjeve me mesatarisht 10-15minuta, përveç habisë krijoi edhe një lloj bezdie mes tifozëve, që realisht nuk ishin mësuar me shtesa kaq të gjata. Në epokën e VAR dhe pozicionit jashtë-loje gjysmë automatik, në Botërorin 2022 u regjistrua numri më i ulët i kartonëve të verdhë, duke barazuar edicionin e vitit 2018.
I vetmi përjashtim, ku u vendos edhe një rekord absolutisht e çerekfinalja Argjentinë-Holandë. Aty u akorduan plot 17 kartonë, nga të cilët 16 të verdhë. Si asnjëherë tjetër, ndëshkimi i lojtarëve u bë edhe në momentin e ekzekutimit të penalltive, që shpallën fituese Argjentinën, por edhe për sherrin që nisi pas ndeshjes.
Botërori që u luajt edhe jashtë fushe.
Danimarka kërkoi deri në fund që eventi të mos luhej në Katar, për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut me punëtorët. Skandinavët u përqendruan shumë te aspektet jashtë futbollit, duke u paraqitur edhe me fanella pa simbole, aq sa harruan fushën. Pas gjysmëfinaleve të Euro 2020, Danimarka ishte zhgënjimi i parë i madh i Kupës së Botës, duke u eliminuar në grupe.
Të njëjtin fat kishte edhe Gjermania, e cila u bë përfaqësuesja e parë e cila tregoi në mënyrë eksplicite që u censurua. Në ndeshjen e parë kundër Japonisë, gjatë fotos zyrtare, të gjithë futbollistët mbuluan gojën.
Arsyeja lidhej me kërcënimin që FIFA i bëri kapitenit Neuer për të mos mbajtur shiritin me shkrimin “Një dashuri”. Gjermania humbi2-1 në debutim dhe në fund nuk arriti të kalonte nga faza e grupeve, duke regjistruar dështimin e dytë me radhë në Kupën e Botës, pasi eliminimit në vitin 2018.

Ky ishte gjithashtu botërori i surprizave të mëdha, që nisën me humbjen e Argjentinës në ndeshjen e parë kundër Arabisë Saudite dhe vijuan me Japoninë si fituese të grupit ku rivalë kishte Gjermaninë dhe Spanjën.
Maroku fitoi Grupin F, në të cilin luanin Kroacia dhe Belgjika, teksa puthjet e futbollistëve të skuadrës surprizë me nënat e tyre pas çdo ndeshje u kthyen në simbolin e këtij edicioni. Ikonik goli i Shaqirit kundër Serbisë dhe beteja në fushë e Granit Xhakës me kundërshtarët, duke iu përgjigjur në mënyrën më të mirë ofendimeve dhe provokimeve.
Kjo ishte Kupa e Botës e fundit për Cristiano Ronaldon, që u largua mes lotëve dhe polemikave, pikërisht pas disfatës së Portugalisë me Marokun.
Ishte botërori i fundit edhe për Lewandowskin, i cili të paktën u ngushëllua se më në fund arriti të shënonte një gol në fazën finale të turneut.
Lot dhe zhgënjim kishte edhe për Neymar, ku favoritët e mëdhenjtë Brazilit u eliminuan nga kualiteti i lart teknik dhe taktik i Kroacisë, që pavarësisht moshës së madhe të yjeve arriti ti mposhtte në çerekfinale pas ekzekutimit të penalltive.
Katar 2022 ishte botërori i të gjitha emocioneve që mundtë përjetohen në jetë: festë, gëzim, dramë, zhgënjim, polemika, akuza por mbi të gjitha shumë adrenalinë. (A2 Televizion)