Rama i akordoi Nanos Medaljen e Mirënjohjes Publike, Berisha: Fasada e Jagos, ai njeri nuk njeh mirënjohje

Nga A2 CNN
1 Shtator 2023, 11:45 | Politikë
Rama i akordoi Nanos Medaljen e Mirënjohjes Publike, Berisha: Fasada e

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kreu i Rithemelimit, ka komentuar ndër të tjera edhe gjendjen shëndetësore të Fatos Nanos, të cilit i uroi shërim sa më të shpejtë.

Megjithatë, Berisha, nuk ngurroi që të komentonte as atë që e cilësoi si “fasada e Ramës”,  pasi ky i fundit i akordoi liderit historik të Partisë Socialiste Medaljen e Mirënjohjes Publike.

Teksa e akuzon kryeministrin se nuk mund të ketë mirënjohje për njeri, Berisha e krahason me Jagon e Otellos.

Jago është cilësuar si një nga personazhet më antagonist të Shekspirit, i konsideruar shpesh i tillë për shkak të besimit që Otello i jep. Besim të cilin ai e tradhtoi.

Komenti im është ky: me gjithë sinqeritetin e me zemër i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë, ta kalojë këtë situatë, jo të lehtë dhe të rikthehet në familjen e tij. Nuk dua të shkoj më tej se po të shkoj do të dënoja, me ashpërsi më të madhe, fasadën e Jagos. Nëse kishte një Jago, Rama ishte Jago i Fatos Nanos, dhe të të qajë Jagoja… Zoti është i madh nuk kam çfarë të them tjetër. Çfarë mirënjohje, ai? Vetëm mirënjohje që nuk ka ai njeri. I uroj të shkoj sa më shpejt në familjen e vet, sa më shpejt dhe sa më mirë. Nuk ka moment fatkeqësie që Edi Rama të mos e përdorë për qëllimet e veta.

Ndërkohë, kujtojmë se ish-kryeministri është shtruar në spital për shkak të problemeve me mushkëritë. Nano është shtruar prej disa ditësh në një nga spitalet private në Tiranë ku ndodhet në reanimacion. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos