U gërvishti makinën me qira, pronarët marrin peng 20-vjeçarin në Tiranë

Nga A2 CNN
2 Shtator 2023, 12:34 | Kronikë
U gërvishti makinën me qira, pronarët marrin peng

Policia e Tiranës njofton se ka vënë në pranga dy persona, përkatësisht Adrian Mehmeti dhe Aqif Dervishi, të cilët akuzohet se kanë mbajtur peng dhe kërcënuar për disa orë 20-vjeçarin, Klejdi Lila.

Sikurse bëhet me dije, autorët e pengmarrjes kishin një biznes që jepte makina me qira, njërën prej të cilave ua kishte marrë 20-vjeçari. Por, pasi e ka kthyer mjetin e marrë me qira, dy autorët i kanë thënë se ka gërvishtur mjetin dhe i kanë marrë fillimisht 500 euro.

Më pas i kanë kërkuar 2500 euro të tjera. Për t’u sqaruar, ata janë takuar në një lokal, nga ku nuk e kanë lënë Lilën të largohet deri sa t’i jepte paratë që u detyrohej.

Duke parë situatën, i riu është detyruar të telefonojë familjarët e tij për t’i siguruar 2500 eurot, ndërsa këta të fundit morën menjëherë policinë në telefon, e cila më pas ka ndërhyrë duke liruar të riun dhe ka arrestuar dy pengmarrësit.

“Tiranë / I hoqën lirinë një shtetasi dhe e kanosën atë, për t’u dhënë një shumë parash, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i kishin hequr lirinë për disa orë, 2 shtetas të tjerë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u identifikuan dhe u vunë në pranga 2 autorët e dyshuar, shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. D., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, në ambientet e një biznesi, i kanë hequr lirinë për disa orë, shtetasit K. L., 20 vjeç, dhe e kanë kanosur që t’u jepte atyre, një shumë parash.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos