Tushemishti i të gjithëve, fshati turistik i juglindjes ”pushtohet” nga të huajt që lakmojnë vjeshtën

Nga A2 CNN
5 Shtator 2023, 13:29 | Sociale
Tushemishti i të gjithëve, fshati turistik i juglindjes

Ndonëse Lini u bë shumë shpejt i njohur në vendbanimet më të vjetra të Ballkanit, Tushemishti gjithnjë mikpritës edhe këtë vit vijon të presë më së miri të huajt që zgjedhin të pushojnë pranë liqenit, veçse tanimë edhe me një arsye më shumë, historinë.

Pandeli Llakmani është njeri nga operatorët turistikë të këtij fshati. Ai tregon se sezoni i kësaj vere ka qenë i suksesshëm ndërkohë që edhe për muajin shtator dhe në vijim ka rezervime të shumta me turistë të huaj, të cilët vijnë nga vende të BE, kryesisht gjermanë, por e vende të tjera.

“Ky vit po ta bësh krahasim me vitet e tjera ka patur rritje goxha të madhe. Rritja më e madhe ka qenë për turistët e huaj, janë rritur grupet turistike të huaj, agjencitë turistike. Turistët vijnë nga gjithë vendet e botës, por pjesa më e madhe janë gjermane e francezë dhe italianë. Agjencitë kështu punojnë, prill-qershor e me pas në fund  të gushtit deri në fillim të nëntorit”, tha Pandi Llakmani, Operator turistik.

Gjatë këtyre ditëve të para të shtatorit grupe nga Gjermania dhe Amerika kanë ardhur për të kaluar disa ditë në fshatin turistik të Tushemishtit. Ata shprehen se në Tushemisht gjejnë qetësinë, çmimet e arsyeshme, mikpritjen dhe kulinarinë e zonës.

“Jam shumë e lumtur që jam këtu. Kaluam në zonën e Maqedonisë me biçikleta, kemi qenë në disa vende të botës por donim të përfundonim pushimet në Shqipëri”, tha një turiste amerikane.

“Vij nga Anglia, kam 3 jave në Shqipëri, herën e fundit isha në Shkodër tani jam në Pogradec, po kënaqemi shumë, ushqimi po na shendosh se është i shijshëm dhe mikpritja është fantastike. Do rikthehemi përsëri”, tha një tjetër.

 “Unë jam Majku nga Gjermania, kam 14 ditë në Shqipëri, por sot erdhëm nga Vlora për të qëndruar për dy net në Pogradec, çmimet janë të arsyeshme dhe nuk është diçka për t’u trembur”

 “Kam dy javë në Shqipëri, vij nga Gjermania. Këtu flora dhe fauna është fantastike, natyra magjepsëse, ushqimi i shijshëm, mendoj se bëmë mirë që erdhëm këtu”, thanë të tjerë turistë.

Rezervime për muajin Shtator mësohet të ketë dhe në qytetet kryesore të juglindjes së vendit, e kryesisht në fshatrat turistike të Voskopojës e Dardhës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos