U merrnin nga 600€ emigrantëve për t’i çuar drejt vendeve të BE, 4 të arrestuar në Tiranë, në kërkim “koka” e grupit

Nga A2 CNN
5 Shtator 2023, 12:37 | Kronikë
U merrnin nga 600€ emigrantëve për t’i çuar drejt

Policia e Tiranës njofton se ka vënë në pranga katër persona, pasi akuzohen se kanë tentuar të ndihmojnë disa shtetas të huaj, kundrejt fitimit, për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin.

Kështu, në kuadër të operacioni “Pararoja 3” ranë në pranga shtetasit: Rafael Demaj, Enriko Gjonaj, Arnold Kërçi dhe Mehmet Bregu.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim organizatori i gjithë kësaj skeme. Sipas policisë, pesë trafikantët u kishin marrë 7 klandestinëve nga 600€ për t’i kaluar në Bashkimin Evropian.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Pararoja 3”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, Forca e Posaçme Operacionale dhe Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Vihen në pranga 4 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar 7 emigrantë, kundrejt pagesës 600 euro për person, me qëllim që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Shpallet në kërkim organizatori i kësaj veprimtarie kriminale. Procedohen penalisht edhe 7 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit. Sekuestrohen 2 automjete dhe 4 aparate celulare.

Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, dhe shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, organizuan dhe finalizuan operacionin “Pararoja 3”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve R. D., 27 vjeç, E. Gj., 24 vjeç, A. K., 27 vjeç, dhe M. B., 46 vjeç, të katërt banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpall në kërkim organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi D. Q., 38 vjeç.

Shtetasit e arrestuar janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Vorë, duke transportuar me 2 automjete, 7 emigrantë, të cilëve, kundrejt pagesës 600 euro për person, iu kishin premtuar transportimin nga Konispoli në drejtim të Shkodrës dhe Kukësit, me qëllim kalimin e tyre në pikën kufitare me Malin e Zi dhe Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së.   

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi R. D., ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 7 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. 

Vijon puna për kapjen e organizatorit të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos