Raportin për atë që e quajnë masakër elektorale, demokratët e Sali Berishës e kthyen në një libër, ku janë përmbledhur të gjitha ato që sipas tyre faktojnë blerjen e votave nga Edi Rama dhe zyrtarët e administratës.
Një botim prej 460 faqesh, që nuk konsiderohet dorëzim i opozitës, por tregim force për luftën kundër pushtetit.
“Askush nuk duhet ta marri këtë libër, këtë raport si një qarje, jo ky është një kushtrim. E kemi publikuar me një qëllim që çdo shqiptar që ka besimin, interesim më minimal tek e vërteta, duhet ta dijë se Edi Rama zgjedhje nuk bën. Edi Rama vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh zgjedhje. Ky është qëllimi i këtij libri”, tha Berisha.
Grupi i punës për hartimin e këtij libri u drejtua nga Oerd Bylykbashi, i cili tha se me faktet e renditura provohet vjedhja e zgjedhjeve nga Edi Rama. “Ja ku jemi sot me Edi Ramën 10 vite Kryeministër dhe lajtmotivi i tij është të fitojmë zgjedhjet me çdo kusht. Pra është i gatshëm të përdorë çdo gjë, e filloi me kanabizim dhe me shitblerjen e votës. Në 2019, ODIHR tha se po përdoret shteti. Ndërsa në 2021 ODIRH tha se zgjedhjet nuk ishin të lira. Zgjedhjet 14 Majit ishin në katalog se si vidhen zgjedhjet”, tha Bylykbashi.
I pranishëm ishte dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili pas prezantimit të librit u pyet nga gazetarët mbi përpjekjet për bashkimin e deputetëve të dalë nga listat e Partisë Demokratike.
“Mendoj se në demokraci ju e dini se është vota, është shumica të cilat tregojmë legjitimitet kur ka një diskutim. Nuk është detyrë e imja, por për mua është unifikimi i opozitës dhe vënia në punën një herë e përgjithmonë e opozitës përballë regjimit”.
Lidhur me zgjedhjet e pjesshme në Kukës, Meta nuk tregoi nëse do të ndiqet e njëjta formulë bashkëpunimi me Berishën që u shfrytëzua për 14 Majin, ku kandidatët u regjistruan nën siglën e Koalicionit Bashkë Fitojmë, drejtuar zyrtarisht prej Partisë së Lirisë. (A2 Televizion)