
Veriperëndimi i Turqisë është përfshirë nga shira të rrëmbyer, me ekipet e emergjencave në gatishmëri prej 24 orësh, bashkë me ushtrinë. Dhjetëra fshatra janë mbuluar tashmë nga uji dhe balta, teksa helikopterët po shpëtojnë qytetarët nga çatitë e shtëpive.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, 2 viktima janë regjistruar deri tani, ndërsa 4 të tjerë janë raportuar të zhdukur. Situatë e vështirë edhe në Stamboll.
Ndërkohë i nxehti përvëlues, iu ka lënë vendin shirave këtë fillimshtatori edhe në Greqi, ku rrugët e bizneset janë përmbytur që prej të martës pasdite. Stuhia e pagëzuar “Daniel”, goditi perëndimin dhe qendrën e Greqisë, që prej të hënës, me mijëra thirrje për ndihmë.
Ndërkohë 2 viktima janë regjistruar edhe në Bullgari. Imazhet flasin për tokë e rrugë të përmbytura, bashkë me to, edhe shtëpi private e katet e para të pallateve. Gjendja e emergjencës është shpallur nga Sofja zyrtare, teksa dhjetëra familje janë evakuuar. Në disa zona, ka rënë shi sa 420% më shumë se norma mujore në vend. (A2 Televizion)