“Frutat janë luks, blejmë vetëm sheqer, oriz e vaj”

Nga A2 CNN
11 Shtator 2023, 17:03 | Ekonomi
“Frutat janë luks, blejmë vetëm sheqer, oriz e vaj”

Trajektorja e inflacionit është në zbritje, por çmimet e ushqimeve nuk po njohin rënie duke rënduar më shumë xhepat e qytetarëve në këtë periudhë të vitit.

Në muajin gusht, ato ishin deri në 7.8% më të shtrenjta, duke ndikuar më së shumti në normën e inflacionit në vend.

“Janë shumë shtrenjtë. Ngritje ka, por ngrënie s’ka. Marrim vetëm sheqer, oriz, vaj. Fruta nuk blejmë dot”, shprehet një qytetare.

Mbi 1 mijë e 700 qytetarë u ankuan në muajin gusht pranë Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit për çmimet e lartë dhe të papërballueshme për ta.

“Për muajin gusht janë 1741 ankesa të ardhura nëpërmjet telefonit, rrjeteve sociale, ankesave me shkrim, kontakteve në bashki. Dhe pjesa më e madhe raportohet nga zona e turizmit, kryesisht Shiroka, Velipoja, Shëngjini, Vlora, Fieri etj. Kujtuam se nuk do spekulohej, por krahasuar me vitin 2022, shifrat tregojnë për një përmirësim por abuzim qëndron”, shprehet Hasan Stafa, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Sipas Institutit të Statistikave, zarzavatet dhe patatet po blihen 20.8% më shtrenjtë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, duke qene sot kategoria më e shtrenjtë e ushqimeve.

“Po të krahasojmë shtatorin e vitit 2022 me shtatorin 2023 janë 46% të rritura më shumë frutat dhe perimet. Deri në 350 lekë 1 Kg spinaq apo molla 120 lekë pa llogaritur frutat e perimet e tjera. Rreth 58% e qytetarëve bëjnë pjesë në kategorinë vulnerabël, kategoria sociale, por dhe pensionistët. Dhe pjesa më e madhe vijnë rreth 745 e ankesave vijnë nga kjo kategori”, thotë Stafa.

Jo vetëm zarzavatet vijojnë të mbeten me çmime të shtrenjta, por edhe nëngrupi i ushqimeve mish, bulmetra dhe fruta. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos