
Një 49-vjeçar është arrestuar nga policia pasi duke ngarë makinën në gjendje të dehur është përplasur me disa makina dhe gjithashtu ka lënduar dy kalimtarë, një polic dhe një grua.
Ngjarja ka ndodhur në një rrugë dytësore në Kashar, ku shtetasi Ç.K., duke drejtuar automjetin, është përplasur me një automjet të parkuar. Më pas, drejtuesi i mjetit ka vazhduar lëvizjen dhe është përplasur me dy automjete të tjera të parkuara.
Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar shtetasit A. G., 48 vjeç, (punonjës Policie) dhe shtetasja A. Ll., 48 vjeçe, të cilët ndodheshin në këmbë në afërsi të automjeteve.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi Ç. K., pas shkaktimit të aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është kapur më pas nga shërbimet e Policisë.
Pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se shtetasi Ç. K., drejtonte automjetin në gjendje të dehur, prova e parë 0.89 mg/l, dhe prova e dytë 0.87 mg/l. (A2 Televizion)