
Një ligë futbolli që sponsorizon një ekip futbolli të një tjetër shteti.
Mund të duket absurde, por në futboll kemi parë logo nga më pikantet për lojtarët e ekipeve të ndryshme, ndaj nuk do të përbëjë çudi simboli i “La Liga” mbi fanellën e një klubi uellsian.
Fakti më interesant është klubi që liga spanjolle ka përzgjedhur për të sponsorizuar dhe emri i tij, që vështirë se mund të lexohet nga sportdashësit.
Logoja “LL” e ligës lidhet tanimë me emrin më të madh në këtë sport.
Ose, më saktë, me emrin më të gjatë ndër klubet e futbollit që e mban skuadra nga Uellsi: Clwb Pêl Droed Llanfair¬pwllgwyngyll¬gogery¬chwyrn¬drobwll¬llan¬tysilio¬gogo¬goch Football Club.
Ekipi me bazë Uellsin e Veriut dhe më i njohur me emrin CPD Llanfairpwll FC do të sponsorizohet nga liga spanjolle për një sezon dhe logoja “LL” do të shfaqet në pjesën e përparme të fanellave, të cilat mbajnë gjithashtu emrin e plotë të qytetit me 58 shkronja në stemën e klubit.
“Ky është vërtet një partneritet i jashtëzakonshëm për ne. Jo vetëm që është bashkëpunimi më emocionues që klubi ka pasur ndonjëherë, por gjithashtu na lejon të përmirësohemi brenda dhe jashtë fushës”, tha presidentja e klubit Samantha Jones-Smith.
Fanella e re e Llanfairpwll do të vishet nga futbollistët për herë të parë të shtunën, në sfidën e vlefshme për ligën e pestë të futbollit të Uellsit, ku klubi nga fshati me emrin më të gjatë në Europë do të përballet me Holyhead Town. (A2 Televizion)