
Zhvillim historik në Shtetet e Bashkuara, ku përherë të parë djali i një presidenti në detyrë, akuzohet formalisht nga Departamenti i Drejtësisë. Prokurori i posaçëm David Weiss e ngarkoi Hunter Biden me tri akuza lidhur më një armë zjarri të blerë në vitin 2018. Akuzat kanë të bëjnë me dyshimet se djali i presidentit bëri deklarata te rreme në formularët federalë kur bleu një armë zjarri. Në një kohë kur kishte qenë përdorues i rregullt i kokainës, ai kishte gënjyer se nuk ishte i varur nga asnjë substancë narkotike.
“Si një demokrat, them se nëse Hunter Biden, djali i presidentit amerikan ka kryer krime, atëherë ai duhet të mbajë përgjegjësi për to. Nuk e dëgjon nga republikanët të thonë se nëse Trump ka kryer shkelje duhet të mbajë përgjegjësi”, tha Daniel Goldman.
Një marrëveshje paraprake sipas të cilës Hunter Biden-i do të pranonte fajësinë për dy shkelje të lidhura me akuzat për taksa dhe do t’i nënshtrohej një programi rehabilitimi për të shmangur ndjekjen penale për armëmbajtje u hodh poshtë gjatë një seance dëgjimore në korrik. Pas kësaj, prokurori i përgjithshëm Merrick Garland caktoi David Weiss si prokuror të posaçëm të çështjes.
Telashet ligjore të Hunter Biden janë kthyer në çështje kontroverse në politikën e Shteteve të Bashkuara, në kohën kur babai i tij po kërkon të rizgjidhet president. Padia ndaj Hunter Biden-it ngrihet dy ditë pasi dhoma e përfaqësuesve, ku ligjvënësit republikanë kanë shumicën, filloi hetimet për të përcaktuar nëse ka bazë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit Biden me dyshimet se Presidenti Biden ka përfituar nga marrëveshjet e huaja të biznesit të djalit të tij. (A2 Televizion)