
Mediat greke kanë zbuluar imazhin e 39-vjeçarit shqiptar, i cili u qëllua për vdekje me një armë gjahu (karabinë) nga një i moshuar grek, pasditen e kësaj të premte në Pire.
Po ashtu është publikuar një video me përmbajtje të rëndë, që tregon trupin e shqiptarit të mbuluar në gjak, shtrirë para parkingut që ndodhet në rrugën 147 Praxitelous.
Sipas Protothema, 68-vjeçari grek ka qëlluar dy herë në kokë shqiptarin, i cili nuk mundi të mbijetojë edhe pse u transportua në spitalin Zaneio.
Sipas informacioneve paraprake, ai është baba i tre fëmijëve dhe punonte në parkingun ku ndodhi sherri fatal me autorin.
“Tani mbarova punë me ty. Mbarova me ty, tani po që mbarova me ty”, mësohet të jetë shprehur me zë të lartë 68-vjeçari pasi qëlloi mbi shqiptarin.
Dëshmitarët okularë të vrasjes brutale deklaruan se autori, i cili mësohet se vuante nga probleme psikologjike dhe shpesh ankohej për dyqanet e zonës, i kërkoi viktimës një vend parkimi në parkingun ngjitur.
Pasi u grindën, 68-vjeçari u ngjit në banesën e tij ku mori armën dhe u kthye në parking duke qëlluar me gjakftohtësi 39-vjeçarin.
“E vrau për një vend parkimi”, thanë dëshmitarët.
Ndërkohë, një banore e zonës që njeh prej vitesh të moshuarin, thotë se ai shpesh shkaktonte probleme dhe debatonte me fqinjët për arsye të parëndësishme.
“Rreth orës 13:00 dëgjuam të shtëna armësh. Zhurma ishte shumë e fortë. E pashë fqinjin me armë duke dalë. Ai qëlloi njëherë mbi djaloshin dhe u kthye përsëri për t’i dhënë goditjen e fundit“, përshkroi gruaja ngjarjen tragjike.
“Viktima ishte shtrirë në tokë kur u qëllua për herë të dytë. Ai e vrau dhe u ngjit i pashqetësuar në banesën e tij”, tha një tjetër dëshmitar. (A2 Televizion)