Shpresë në Libi, familja me 5 anëtarë shpëtohet nga rrënojat një javë pas përmbytjeve

Nga A2 CNN
18 Shtator 2023, 16:53 | Bota
Shpresë në Libi, familja me 5 anëtarë shpëtohet nga

Në Libi, një javë pas përmbytjeve që goditën vendin, një familje me pesë anëtarë u nxor e gjallë nga rrënojat nën të cilat ishin bllokuar.

Operacioni i shpëtimit ndodhi në një zonë pranë Dernës. Ndërkohë videoja e një të riu që kërkon të ëmën mes rrënojave dhe arrin të regjistrojë zërin e saj është bërë virale, duke rigjallëruar kështu shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë në zonat e prekura nga fatkeqësia.

Sakaq, Prokurori i Përgjithshëm ka njoftuar hapjen e një hetimi për shembjen e dy digave që shkaktuan përmbytjen katastrofike në Derna. Sipas rikonstruksionit të parë të fakteve, digat e dëmtuara janë ndërtuar në mesin e viteve 1970 nga një kompani nga Jugosllavia, bazuar në kërkesat e sigurisë së kohës.

Kryebashkiaku i Dernës pranoi se mirëmbajtja e digave nuk është kryer siç duhet që nga viti 2002, ndërsa bombardimet e NATO-s, lufta civile dhe trazirat e mëvonshme vetëm sa e kanë përkeqësuar situatën.

Mbi dy milionë dollarë janë ndarë për mirëmbajtjen e digave dhjetë vjet më parë, por ka dyshime se paratë përfunduan diku tjetër.

Për OKB-në, nëse Libia do të kishte pasur një sistem adekuat të paralajmërimit të motit, tragjedia mund të ishte shmangur, ose të paktën mund të ishte lëshuar një urdhër evakuimi efektiv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos