Debati se kush drejton grupin parlamentar të PD dhe si rrjedhojë kush ka të drejtë të bëjë propozime në emër te tij, nuk gjeti zgjidhje as në seancën e sotme plenare.
Kërkesat e kryetarit aktual Gazmend Bardhi për ndryshimin e rendit të ditës për reformën zgjedhore u rrëzuan me votë nga socialistët të cilët kërkuan 1 javë kohë për të vendosur për përbërjen e komisionit.
As seanca plenare e kësaj të enjteje nuk i dha përgjigje pyetjes se kush është kryetar grupit të PD-së, Lulzim Basha që ka siglën apo Gazmend Bardhi që ka numrat. Ndryshe nga dy seancat e shkuara, Gazmend Bardhi kishte dalë në pozicion sulmues ku i kishte depozituar Kryetares së Kuvendit deklarime të freskëta të 28 deputetëve që e konfirmojmë atë si drejtues.
“Keni marrë edhe një njoftim nga grupi i PD, lexuat edhe atë të Aleancës për Ndryshim, do të duhet të lexonit me guxim, edhe pse nuk ju pëlqen ju personalisht apo një pjese nga mazhoranca vendimin e grupit parlamentar të PD. Nuk mund të zgjidhni shkresat që lexoni në seancë plenare.”
Lindita Nikolla e cila pret prej tre javësh që juristët e Kuvendit ti qartësojnë idenë se kush është kryetar grupi i PD-së, ia kishte lënë stafetën Ermonela Felajt, e cila pas më shumë se 40minutash debat e replika, u duk se lëshoi pe.
“Ne nuk as nuk formojmë grupet e askujt, dhe as nuk zgjedhim grupet e askujt. Çfarë këtu si njoftim tëri që këtu konfirmohet Gazmend Bardhi si kryetar.”
Fjalët e Ermonela Felajt nuk bënë të lumtur Lulzim Bashën i cili gjatë gjithë kohës qëndroi kokë ulur duke parë telefonin, ndërsa seanca u fut në ngërçin e radhës procedural, ketë herë për reformën zgjedhore.
Ashtu siç kishte lajmëruar, Bardhi kërkoi të largonte nga komisioni i Reformës Zgjedhore deputetët që mbështesin Lulzim Bashën duke filluar nga bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj, por ishte e pamjaftueshme për të bindur socialistët.
“Një projektvendim për ndryshimin e përbërjes së komisionit të reformës zgjedhore.”
“Ne e kemi të qartë qëndrimin, sot ecim me shtyrjen e afatit, dhe vijmë seancën tjetër ndryshojmë edhe përbërjen ku mund të sjellim edhe ne ndryshimet tona.”
Ky refuzim i PS-së u lexua si pazar nga Sali Berisha.
“Hallin e keni tjetër kund. Ju doni të merrni peng persona këtu që duhet të votojnë për rrogën e bashkëshortes. Ish-bashkëkryetarin që opozita e ka shkarkuar e mbani peng derisa të votojnë. Me një fjalë, ju jeni në pazare këtu.”
Procedura parlamentare kërkonte që kjo kërkesë të hidhej për votim, ku krahas 55 votave të PS-së kundër Bardhit, ranë në sy edhe kartonët e mbetur ulur të grupimit të Bashës.
Nëse socialistët mbajnë fjalën, do të jetë seanca e radhës parlamentare e cila do të tregojë nëse do të ketë dakordësi, jo vetëm sa i takon përplasjes për drejtimin e grupin e PD-së, por edhe ndryshimeve në përbërjen e komisionit të reformës zgjedhore. (A2 Televizion)