
Një shqiptar pas hekurave dhe tre të tjerë në kërkim për grabitjen e bizhuterive dhe orëve me vlerë 300 mijë paund në vilën e sulmuesit të Chelsea, Raheem Sterling, gjatë kohës që ai luante me Anglinë në Kupën e Botës në Katar.
Të enjten para gjykatës Mbretërore të Guilford u paraqit 23-vjeçari Emiliano Krosi, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në 33 vjedhje, përfshirë grabitjen e rezidencës me vlerë 7 milionë paund të Sterling, që ndodhet në Oxshott, Surrey.
Grabitja ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar, kohë kur sulmuesi 28-vjeçar u detyrua të braktiste kombëtaren para sfidës vendimtare me Senegalin në Katar dhe të rikthehej në shtëpi për të qetësuar familjen e tij.
Shqiptari Krosi, nga Southend-on-Sea, foli në gjykatë vetëm për të konfirmuar emrin e tij përmes një përkthyesi, ndërsa gjyqi i radhës për të u caktua në 14 shkurt të vitit të ardhshëm.
Por ai nuk është i vetmi i dyshuar për grabitjen e bujshme në vilën e Sterling, pasi tre shqiptarë të tjerë janë shpallur në kërkim për këtë ngjarje dhe dhjetëra vjedhje të tjera në Anglinë juglindore.
Alfred Isufi (48 vjeç), Gerard Kalaja (22 vjeç) dhe Henri Osmani (44 vjeç) janë shpallur në kërkim, pasi autoritetet kërkojnë t’i marrin në pyetje në lidhje me mbi 33 vjedhje.
Besohet se në të gjitha bastisjet, të cilat ndodhën në Surrey, Essex, Kent dhe Hertfordshire, janë vjedhur sende me vlerë që arrijnë në rreth 1 milion paund.
Tre shqiptarët e shpallur në kërkim kanë lidhje me zonat e Harlow, Essex dhe Londrën veriore dhe autoritetet britanike besojnë se ata ende ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar. (A2 Televizion)