Kanceri i gjirit është sëmundja më e përhapur tek gratë. Në Shqipëri rastet po njohin vetëm rritje, mbi 800 gra diagnostikohen çdo vit me këtë sëmundje. Me fillimin e tetorit Ministria e Shëndetësisë ka nisur fushatën ndërgjegjësuese ndaj grave për kryerjen e kontrolleve periodike për ta kapur në kohë sëmundjen.
Por “fjongoja rozë” simboli i fushatës kundër kancerit të gjirit duhet ë shtrihet gjatë gjithë vitit. Mjekë, shoqata në mbështetje të kësaj kauze, por edhe paciente të diagnostikuara me kancer vënë theksin tek kontrollet periodike të gjirit. 10% e grave që preken nga kanceri i gjirit e kanë atë të trashëguar, ndërsa për gratë e tjera faktorët e riskut lidhen me shëndetin riprodhues, stilin e jetës dhe ushqyerjen.
Kjo sëmundje shfaqet kryesisht tek gratë e moshave 50-60 vjeç edhe pse vitet e fundit janë rritur rastet edhe tek moshat e reja.
Për fat të keq ende sot shumë gra shkojnë tek mjeku kur sëmundja është në stade të avancuara, çka e bën kancerin e gjirit shkakun e parë të vdekjeve tek femrat në Shqipëri. Për ta kapur herët këtë sëmundje mjekët rekomandojnë kryerjen e kontrolleve periodike, çdo një vit një eko gjiri për moshat mbi 20 vjeç dhe një herë në 2 vjet ekzaminimi përmes mamografisë për gratë mbi 40 vjeç. (A2 Televizion)
