Tragjedia në Spanjë, shkon në 13 numri i viktimave nga zjarri që përfshiu tre diskoteka

Nga A2 CNN
1 Tetor 2023, 12:44 | Bota
Tragjedia në Spanjë, shkon në 13 numri i viktimave nga zjarri

Është rënduar bilanci i tragjedisë së ndodhur në qytetin spanjoll Murcia, ku zjarri i rënë rreth orës 06:00 të mëngjesit shkrumboi klubin e natës “Teatre”.

Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të personave të zhdukur pas zjarrit, që ka djegur sipas raportimeve tre klube nate që ndodheshin ngjitur me njëri-tjetrin.

Katër persona kanë mbetur të plagosur ndërsa shërbimet e urgjencës në Murcia thonë se numri i të vdekurve mund të rritet.

Diego Seral nga Policia Kombëtare e Spanjës u tha gazetarëve se rrënimi i godinës nga flakët po e bënte të vështirë gjetjen e viktimave dhe është e pamundur të përcaktohet bilanci i zjarrit.

Identifikimi i trupave do të marrë kohë”, tha ai.

Ndërkohë, jashtë diskotekës së njohur të rinj të përqafuar dhe me lot në sy nga tronditja që kanë pësuar presin të marrin informacion për të zhdukurit.

Dolëm nga diskoteka 30 sekonda deri në 1 minutë përpara se të fikeshin alarmet dhe të gjitha dritat, ndërsa nga britmat kuptohej se kishte rënë zjarr. Pesë anëtarë të familjes dhe dy miq të mitë janë të zhdukur“, tha një i mbijetuar.

Një zëdhënëse e klubit të natës “Teatre”, u tha gazetarëve se zjarri fillimisht ka nisur në diskotekën ngjitur me ta, “La Fonda” dhe ka përfshirë më pas dy klubet e tjera teksa në ambientet e tyre po zhvilloheshin disa festa ditëlindjesh.

Kryetari i bashkisë së Murcias, Jose Ballesta tha se ata po punojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit.

Ne jemi të shkatërruar“, tha ai në kanalin televiziv spanjoll 24h.

Ballesta po ashtu shpalli tre ditë zie në nder të viktimave dhe flamujt u ulën në gjysmështizë jashtë bashkisë së Murcias. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos