Inceneratori i Elbasanit, Kokës i bie një akuzë, dënohet 5 vjet e 8 muaj. Bllako fiton pafajësi

Nga A2 CNN
5 Tetor 2023, 18:03 | Kronikë
Inceneratori i Elbasanit, Kokës i bie një akuzë, dënohet 5

Dhjetë ditë pasi u fajësua për inceneratorin e Fierit, një tjetër trupë gjykuese e Gjykatës së Posaçme vlerësoi se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është korruptuar dhe ka pastruar para edhe në rastin e inceneratorit të Elbasanit. Por, ish-zyrtari i lartë mundi të fitojë pafajësi për një nga veprat penale për të cilat e akuzonte SPAK, atë të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndonëse me një akuzë më pak, për dy të tjerat ish-ministri u dënua me 8 vjet e 6 muaj burg. Duke i llogaritur uljen e një të tretës prej gjykimit të shkurtuar, gjykata dha përfundimisht 5 vjet e 8 muaj burg për të. Akuza e “shpërdorimit të detyrës” u rrëzua edhe për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, i cili fitoi pafajësi.

Gjykata urdhëroi lirim të menjëhershëm për të për këtë çështje, por ndërkohë mbi Bllakon rëndon një dënim me 2 vjet e 8 muaj për inceneratorin e Fierit. Për biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri gjykata dha përfundimisht nga 6 vjet e 8 muaj burg si fajtorë për “korrupsion të zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim të parave”, ndërsa një dënim me 4 vjet e 8 muaj burg për Stela Gugalljen.

Dënime me të buta, nga 1 vit e 4 muaj në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie, morën pasi u fajësuan për “shpërdorim detyre” ish-anëtarët e Komisionit për Dhënien e Koncensionit, Serafin Papa, Bardhyl Çabiri, Pëllumb Abeshi e Jonida Zeqo.

Treshja gjykuese e çështjes shpalli fajtore edhe kompaninë koncensionare “Albtek Energy”, duke vendosur mbylljen e niptit të saj. Në të njëjtin vendim, gjykata konfiskoi kompanitë e biznesmenëve të inceneratorëve “Albtekenergy” dhe “Integrated Technology Services” dhe asetet e tyre të tundshme e të patundshme.

Në llogari të shtetit gjykata vendosi të kalojë edhe asetet e Lefter Kokës në një shoqëri ku është aksioner, në një vlerë të barabartë me ryshfetin që pretendohet të ketë marrë për inceneratorin e Elbasanit. Sipas SPAK, ish-ministri Koka ka marrë gati 3 milionë euro ryshfet për të favorizuar kompaninë koncesionare, si edhe ka pastruar para duke krijuar një skemë fiktive për kryerjen e punimeve, duke përdorur disa shoqëri tregtare që kontrolloheshin në mënyrë të tërthortë prej tij apo njerëzve të afërt.

Javën e kaluar Koka u fajësua edhe për inceneratorin e Fierit, ku u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos