Hendeku mes jetesës në periferi e qendër, familjet në Dibër shpenzuan 30% më pak se në Tiranë gjatë 2022

Nga A2 CNN
6 Tetor 2023, 14:08 | Ekonomi
Hendeku mes jetesës në periferi e qendër, familjet në

Dibra është qarku me nivelin më të ulët të shpenzimeve të familjeve, gjatë vitit të shkuar. Në raport me familjet në Tiranë, ato në qytetin verior shpenzojnë 30 për qind më pak. Kjo për ekspertët vjen si pasojë e mungesës së politikave të balancuara.

Kriza e çmimeve, vitin e shkuar, thelloi hendekun mes jetesës në Tiranë dhe rrethe. Shpenzimet mujore të një familje në Dibër, vitin e shkuar, ishin 30 për qind më të ulëta se në kryeqytet dhe gati 20 për qind më pak se mesatarja në shkallë vendi. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga mbi 104 mijë lekë në muaj në Tiranë dhe rreth 88 mijë e 300 lekë në gjithë vendin në Dibër familjet shpenzuan vetëm 72 mijë e 724 lekë.

“Kjo është dilema e madhe në qarqe, por edhe në nivel kombëtar. Në raport me atë që prodhohet në qarqe, ajo që kthehet në interesin publik është shumë e pakët. Ndaj ka edhe kështu disbalancash”, tha Haxhimali.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se shpenzimet e familjeve në Tiranë gjatë vitit të shkuar në raport me 2021-shin u zgjeruan me 5 për qind dhe në shkallë vendi me 4.5 për qind. Por e njëjta nuk ndodhi edhe në rrethe. Në qytetin verior të Dibrës shpenzimet u rritën me vetëm 0.9 për qind.

“Kemi dështim të politikave të zhvillimit të rajoneve. Nuk dimë se ku duhet të mbështet zhvillimi i atij qarku, kjo ka bërë që njerëzit të kenë më pak të ardhura e rrjedhimisht të shpenzojnë më pak”, u shpreh ekspert i politikave vendore, Agron Haxhimali.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2021 ishte Kukësi me nivelin më të ulët të shpenzimeve të familjeve, pozicion të cilin e ka marrë tashmë Dibra. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos