
Pas përfundimit të ministerialit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Ministrja për Punët e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.
Ministri Hasani u shpreh se ka një vullnet të mirë politik për t’u përballur me sfidat me të cilat është duke u përballur rajoni i Ballkanit Perëndimor.
“Situata aktuale gjeopolitike me agresionin rus dhe me tensionet në rajonin tonë ka krijuar sfida që kërkojnë angazhim dhe reagim të fortë. Lajmi i mirë është se është prodhuar edhe një vullnet i mirë politik. Samiti është një mundësi për të diskutuar se çfarë forme mund të marrë mbështetja e BE-së për rajonin dhe cilat mund të jenë ndërhyrjet më të nevojshme dhe urgjente.
Për samitin e këtij viti janë propozime që besoj se do të zhvillojnë ekonominë e rajonit. Ka një nevojë urgjente për të investuar, për të ngushtuar hendekun mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Dy nga sektorët kyç janë energjia dhe transporti”, tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë. (A2 Televizion)