Pse nuk janë hequr masat për Kosovën? Stano: Nuk ka hapa të mjaftueshëm

Nga A2 CNN
10 Tetor 2023, 16:04 | Kosova
Pse nuk janë hequr masat për Kosovën? Stano: Nuk ka hapa të

Në konferencën e radhës për shtyp, zëdhënësi i BE, Peter Stano deklaroi se masat e vendosura ndaj Kosovës nuk janë hequr ende, pasi nuk është parë një angazhim i mjaftueshëm nga ana e Prishtinës zyrtare për deeskalimin e situatës në veri.

“Masat e prezantuara për Kosovën ishin reagim direkt ndaj eskalimit që pati, apo mungesës së deeskalimit që kemi parë më herët, nuk po flas për 24 shtatorin, po flas për periudhën para kësaj. Shtetet anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për deeskalim kuptimplotë, për këtë arsye masat janë ende në fuqi. Sa i përket dialogut, nuk ka asnjë rrugë tjetër, pos kthimit në dialog. Rruga drejt BE-së për Kosovën e Serbinë shkon pashmangshëm nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, s’ka rrugë tjetër”, tha Stano.

Sa i përket sulmit  në Banjskë më 24 shtator, Stano tha se BE pret një hetim të plotë dhe përfundimtar, teksa i kërkoi Beogradit të bashkëpunojë.

“Presim rezultatin përfundimtar të hetimit të plotë. Kur të përfundohen hetimet, e BE-ja të ketë rezultatet, e të ketë pamje të qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush qëndron prapa kësaj, atëherë shtetet anëtare do të vendosin për hapa tjerë”, përfundoi Stano. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos