Kosova ishte kryefjala e mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Pas takimit 90 minutësh, Sali Berisha në një prononcim për mediat u tregua pesimist për gjetjen e konsensusit me mazhorancën për një rezolutë të përbashkët për sulmin e 24 Shtatorit në Banjskë.
Kreu i Rithemelimit pohoi se do kërkojnë që të votohet rezoluta e paraqitur nga Gazment Bardhi, të cilën e quajti të mirëstudiuar dhe të njehësuar me Parlamentin e Kosovës.
“Deri tani të dhënat se mazhoranca nuk pajtohet me problemin se duhet dënuar Serbia për atë që ndodhi në Kosovë, por nëse kjo klauzolë nuk pranohet, atëherë ky parlament mund të quhet fare mirë, parlamenti i Bjellorusisë, apo i një republike vasale të Rusisë. Kjo nuk mund të ndodhë”, tha Berisha.
“Dua të informoj opinionin se deri në këtë moment nuk ka një dakordësi për një rezolutë të përbashkët, sepse grupi i PS nuk mbështet rezolutën e Kosovës, nuk kërkon një unifikim të qëndrimit tonë me kolegët e Parlamentit të Kosovës dhe nuk pranon që të identifikojë përgjegjësit realë të situatës së krijuar në 24 Shtator”, tha Bardhi.
Bardhi nuk do të mund të marrë pjesë në seancën e të enjtes, si propozues i rezolutës së opozitës, pasi bashkë me 7 deputetë të tjerë janë përjashtuar për 10 ditë nga punimet parlamentare, për shkak se nuk lejuan votimin e rendit të ditës seancën e kaluar.
“Sado deputetë të përjashtojë Rama duhet të përballet me opozitën. Ky është një vendim politik, nuk është vendim bazuar në rregulloren. Ka një urdhër të Ramës për të përjashtuar deputetët e opozitës dhe kjo është zbatuar nga socialistët”, shtoi Bardhi.
Sa i përket vendimit të Kryesisë së PD që e përjashton nga partia, Bardhi e kaloi me humor, ndërsa Berisha shpjegoi se akti është gatuar nga mazhoranca.
“Një e qeshur dhe merreni pak më me të qeshur aktet jo serioze të kolegut Lulzim Basha. Ai është shpallur non grata nga anëtarësia e partisë, nuk ka vendim më të rëndë”, shtoi ai.
Bardhi e lidhi përjashtimin e tij nga partia, edhe me një përpjekje të Bashës për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga dy katet që ai thotë se kreu i PD ka blerë në një prej kullave më të shtrenjta të Tiranës. (A2 Televizion)