Zhvillimi i Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë për kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, tregon se tashmë unioni shikon tek Shqipëria një faktor stabiliteti në rajon. Duke folur në konferencën mbi “Rolin e Parlamentit në Procesin e Berlinit”, Nikolla pohoi se tashmë BE e konsideron Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj.
“Aktualisht, siç po e konstatojmë të gjithë, qendra e gravitetit të proceseve dhe veprimtarive integruese të zhvendoset nga Brukseli në rajon. Ky është një nder, por edhe përgjegjësi për vendet tona. Është një ushtrim jo i lehtë, por Shqipëria dhe shumica e vendeve të rajonit po e përballojmë atë me sukses. Samiti Bashkim Evropian-Ballkan Perëndimor i Tiranës më 6 dhjetor 2022 dëshmoi qartësinë, vendosmërinë dhe partneritetin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Kryesimi nga Shqipëria i Procesit të Berlinit përgjatë vitit 2023 po rikonfirmon kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe evropianizimi në rajon, por edhe mbështetjen e shumicës së vendeve të rajonit për aspiratën tonë të përbashkët drejt familjes evropiane.
Sinqeriteti, përkushtimi dhe arritjet tona kam përshtypjen se janë më të dukshme se vullneti i Bashkimit Evropian për ta konsideruar Ballkanin Perëndimor një pjesë të tij të natyrshme.
Nga ana tjetër, qëndrimi i disa vendeve anëtare të BE-së duhet të jetë po aq i qartë dhe po aq i vendosur sa edhe i institucioneve evropiane që ndjekin e monitorojnë proceset demokratizuese dhe integruese në vendet tona.
Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal është parakusht i kurorëzimit me sukses të rrugëtimit tonë evropian”. (A2 Televizion)
