Lojtari vendimtar! Jasir Asani, ylli që udhëheq ëndrrën e Shqipërisë

Nga A2 CNN
14 Tetor 2023, 10:36 | Sporte të tjera
Lojtari vendimtar! Jasir Asani, ylli që udhëheq ëndrrën e

Heroi që pakkush e priste quhet Jasir Asani. Një lojtar që kërkonte me forcë të përfaqësonte ngjyrat kuqezi. Gjashtë vjet pritje për t’u grumbulluar, refuzim i ftesës së Maqedonisë së Veriut, për të realizuar një ëndërr.

Jo vetëm ëndrrën e 28-vjeçarit, por të shqiptarëve në të gjitha trojet. Është ai lojtari më i rëndësishëm i skuadrës perfekte të krijuar nga Sylvinho.

Këtë e konfirmoi edhe ndaj Republikës Çeke ku shënoi golin që zhbllokoi ndeshjen pas vetëm 9 minutave lojë. Një tjetër realizim i jashtëzakonshëm nga distanca. Inkursioni nga e djathta drejt qendrës, si ato që të kujtojnë legjendën holandeze Arjen Roben, u shoqërua me goditje potente, e cila u ndal vetëm nga rrjeta.

Me tre gola dhe dy asist në gjashtë ndeshjeve kualifikuese, Jasir Asani është lojtari që po udhëheq Kombëtaren drejt Euro2024. Golat e tij janë njëri më i bukur se tjetri, ku padyshim spikati perla përballë Polonisë, megjithatë më pas nuk mbeten as golat ndaj Moldavisë dhe Çekisë.

Tetë vjet pas pjesëmarrjes në Euro 2016, kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho kanë një tjetër shans të madh. Shqipëria është praktikisht me një këmbë në Gjermani 2024, në pritje të formalizimit të arritjes historike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos