Rritja ekonomike e Shqipërisë në dekadën e fundit ka qenë e kënaqshme, por kjo nuk është shoqëruar me zgjerim të të ardhurave për frymë. Në këtë përfundim arrin Komisioni Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara në një raport ku analizon se sa po përkthehet zgjerimi i Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit në mirëqenie për shqiptarët.
“Matja e GDP-së si indikator i rritjes ekonomike nuk përkthehet detyrimisht në mirëqenie të popullatës. Në vendet në zhvillim si yni rritja duhet të jetë mbi 5 për qind që të kemi efekte në popullatë”, tha Eugen Musta, pedagog ekonomie.
Shqipëria është aktualisht vendi i parafundit në Ballkan për nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë. Mali i Zi kryeson me mbi 9 mijë e 400 dollarë për frymë, ndjekur nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kosova është vendi me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë me 5 mijë e 270 dollarë.
Po pse në vendet e Rajonit qytetarët kanë më shumë të ardhura? “Duhen parë dhe analizuar burimet e rritjes ekonomike. Ka sektorë ku megjithëse ka rritje të konsiderueshme, të ardhurat nuk shpërndahen në popullatë”, përgjigjet Musta.
Në raportin e institucionit në varësi të Organizatës së kombeve të Bashkuara thuhet se më shumë familje po varen nga dërgesat e të afërmve në emigrim, ndërsa popullsia në moshë pune po tkurret me ritme të shpejta.
“Duhet të kemi patjetër një involvim të politikave qeveritare të cilat që nga sistemi i taksimit, decentralizimi i investimeve mund të bëjnë një rregullim më të mirë në drejtim të shpërndarjes më të drejtë të të ardhurave”.
Në dekadën e fundit të të ardhurat për frymë janë dyfishuar duke arritur në rreth 6 mijë e 400 dollarë vitin e shkuar ndërsa qeveria ka shpallur ambicie për të arritur nivelin e 10 mijë dollarëve deri në vitin 2027. (A2 Televizion)
