Projektet e Procesit të Berlinit, vendet e rajonit përdorën vetëm 50% të fondeve, Shqipëria rreth 500 milionë

Nga A2 CNN
16 Tetor 2023, 15:50 | Ekonomi
Projektet e Procesit të Berlinit, vendet e rajonit përdorën

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shfrytëzuar vetëm gjysmën e fondeve që Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion që nga viti 2014.  Nga 30 miliardë euro që përmban Plani i Investimeve, Shqipëria, Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina kanë mundur të përdorin vetëm 16 miliardë.

“Fondet duhet t’i marrësh me meritë. Ka disa kushte. Duke ditur që ne kemi pasur edhe disa problematika për të cilat na është tërhequr vëmendja. Ndaj nuk janë shfrytëzuar fondet”, u shpreh eksperti për ekonominë Selim Blliku.

Në samitet e zhvilluara në kuadër të Procesit të  Berlinit, Shqipëria ka mundur të përfitojë mbi 170 milionë euro vetëm për investime në sektorin energjetik, një pjesë e së cilave janë vënë tashmë në zbatim.

“Ka pasur një përpjekje që ende vijon për uljen e varësisë nga prodhimi i energji0073ë vetëm nga hidrocentralet”, shtoi Blliku.

Referuar deklaratës së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, “unioni” ka përgatitur tashmë një pako të re të investimeve për Ballkanin Perëndimor.

“Pjesa më e rëndësishme tashmë është asistenca direkte që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të kenë nga Bashkimi Europian në zbatimin e këtyre projekteve”, theksoi eksperti Blliku.

Në drejtim të infrastrukturës Shqipëria ka mundur të garantojë një pjesë të investimeve në samitet e Procesit të Berlinit për ndërtimin e by-pasit të Tiranës, rrjetit hekurudhor Tiranë-Rinas-Durrës me vlerë 91.5 milionë euro dhe interneti me bazë të gjerë me vlerë 40 milionë euro. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos