Ngjarjen më të rëndësishme pas Samitit të Selanikut. Kështu e cilësoi Sali Berisha takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Në një deklaratë për mediat kreu i Rithemelimit shprehu mbështetjen e plotë të PD për Samitin e Procesit të Berlinit.
“Samiti i sotëm në Tiranë dëshmon vullnetin, konsekuencën e BE dhe liderëve të vendeve anëtare për të mbështetur perspektivën evropiane të vendeve të rajonit tonë”, u shpreh Berisha.
Samitin e konsideron si një garanci për opozitën dhe u jep një mesazh mbështetësve të tij.
“Është një garanci më shumë për shqiptarët dhe popullin opozitar se asnjë lloj fasade e Edi Ramës nuk do mund të pengojë ata të shohin muret që Edi Rama ka ngritur dhe që ndajnë Tiranën me Brukselin”.
Sulmoi edhe njëherë projektin e Ballkanit të Hapur, duke e quajtur ruso-serb, por shtoi se tashmë kjo nismë është varrosur.
“Këta burra të shquar të BE, varrosin pikërisht në ndërtesën mauzole të diktatorit, projektin e Ballkanit të Hapur, të Edi Ramës”.
Sipas Berishës, zhvillimi i Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë është një goditje e të gjitha aspiratave të hegjemonizmit serb dhe influencës ruse në rajon. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   