Përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve, Lajçak e Escobar në fundjavë në Prishtinë e Beograd

Nga A2 CNN
17 Tetor 2023, 11:19 | Kosova
Përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve,

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë këtë fundjave, për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçiç.

Konfirmimi erdhi nga zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, i cili theksoi se qëllimi i vizitës do të jetë arritja e përparimit konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit.

“BE-ja dhe vendet anëtare, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbeten mbështetëse të mëdha të procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Kemi pritshmëri të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të kryejnë pa vonesa dhe pa kushte obligimet e tyre”.

Pjesë e vizitës do të jenë edhe Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës, ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner dhe i kryeministres së Italisë, Francesco Talo. Me ta do të jetë në delegacion edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan për herët të fundit në kuadër të dialogut më 14 shtator, por pa asnjë rezultat.

BE-ja vazhdon të mbajë në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe po shqyrton edhe ndëshkimin e Serbisë nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet e fundit në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe 3 pjesëtarë të grupit kriminal.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos