Studentët e Mjekësisë kanë vijuar edhe këtë të mërkurë protestat e tyre në rrugët e Tiranës dhe përpara zyrave të Ministrisë së Arsimit, ndërsa në shenjë simbolike, ata kanë lidhur duar me pranga, para Ministrisë së Arsimit.
Ata i kërkojnë ministres Ogerta Manastirliu të dalë dhe të përballet me studentët dhe kërkesat e tyre.
“Dilni dhe përballuni në shesh! Dilni dhe përballuni me studentët! Ministri e turpit!”, dëgjohen studentët duke thirrur njëzëri.
Njëra prej tyre foli për mikrofonin e A2 CNN ku u shpreh se ajo dhe të gjithë studentët e tjerë, që janë në protestë prej disa ditësh, e duan të ardhmen e tyre këtu në Shqipëri dhe se nuk duan kurrsesi që të largohen për një rrogë më të lartë jashtë vendit.
“E duam të ardhmen tonë këtu në Shqipëri. Nuk duam të ikim në Gjermani për 1 mijë euro rrogë, sepse e dimë që edhe andej nuk është e lehtë”.
Studentët kanë nisur marshimin e tyre nga Universiteti i Mjekësisë, kanë vazhduar në qendër të kryeqytetit e më pas i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit.
Kujtojmë se studentët e mjekësisë nuk kanë marrë pjesë në mësim, duke bojkotuar këtë të fundit që nga nisja e vitit të ri akademik.
Ata kanë kërkuar ballafaqim të drejtpërdrejtë me ministren e Arsimit dhe me zyrtarë të qeverisë për të kundërshtuar ligjin që sipas tyre është “i padrejtë”. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   