Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkonte një “pauzë humanitare” në konfliktin mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit, për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Votimi për tekstin e hartuar nga Brazili u shty dy herë, gjatë ditëve të fundit, teksa Shtetet e Bashkuara u përpoqën të ndërmjetësonin qasjen e ndihmave në Gaza. Pavarësisht votës kundër të SHBA-së, që mbështeti Izraelin dhe të drejtën e tij për t’u mbrojtur, Shqipëria u rendit mes vendeve që dënuan çdo sulm ndaj civilëve.
Vendi ynë votoi pro rezolutës e cila kërkon respektim të ligjit ndërkombëtar për civilët, përfshirë dhe personelin mjekësor dhe kërkon akses për organizatat humanitare për të dërguar ndihma.
Uashingtoni tradicionalisht mbron aleatin e tij Izraelin nga veprimet e Këshillit të Sigurisë. Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas Greenfield, tha se ishin të zhgënjyer që rezoluta nuk përmendte të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, ndërsa fajësoi Hamasin për krizën humanitare. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   