Banka Botërore ka publikuar raportin mbi ecurinë e ekonomisë së rajonit. Në analizë është marrë edhe ekonomia shqiptare, ku janë bërë disa konstatime domethënëse. Institucioni financiar ndërkombëtar vlerëson se një ndër burimet kryesore të rritjes ekonomike këtë vit, që parashikohet disi më optimiste në 3.6%, është konsumi.
Ndërkohë që konstatimi i dytë është që bujqësia shqiptare mbetet një sektor i vakët, me një ecuri anemike. Në një deduksion logjik kjo do të thotë se konsumi i popullatës bazohet te mallrat e importit. Konstatimi i tretë i Bankës botërore është se një ndër risqet e ekonomisë për këtë vit është rritja e çmimeve të ushqimeve. Kjo tregon jo vetëm për varësinë, por edhe për ekspozimin shumë të madh të ekonomisë dhe buxheteve familjare ndaj luhatjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i shoqatës së prodhuesve, ishte i ftuar në A2 Business nga Aurora Sulçe në A2 CNN.
“Ne nuk jemi fare te pjesa kimike. Jemi shumë prapa te pjesa farmaceutike. Ne eksportojmë bimë medicinale deri në Australi, por jemi shumë mbrapa me farmaceutikën. Ne nuk po arrijmë dot të specializojmë vendin tonë, të paktën në pjesën e industrisë, çfarë ne mund të bëjmë. Ekonomi e lire? Por jo ekonomi e shqyer. Ne kemi pasur hapje të fasonëve si kërpudha, tashmë po rregullohen”, tha Arben Shkodra. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   