E vranë me sëpatë dhe e hodhën në kanal, flasin fqinjët e 70-vjeçarit që u vra “për një fjalë goje”

Nga A2 CNN
20 Tetor 2023, 09:54 | Kronikë
E vranë me sëpatë dhe e hodhën në kanal, flasin

Policia e Shkodrës ka arritur të zbardhë ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë, ku një 70-vjeçar u gjet i vdekur buzë një kanali pranë shtëpisë së tij në fshatin Boks. Fillimisht, u dyshua se Musa Bajraktari kishte vdekur për shkaqe naturale, por më pas u zbulua se viktima ishte goditur me sëpatë nga fqinji i tij, i cili më pas e kishte hedhur në kanal.

Autori i dyshuar, Xhemal Zeqiri, është arrestuar nga policia e Shkodrës dhe dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive të dobta.

“Shkodër, zbardhet ngjarja e ndodhur mesditën e djeshme, në fshatin Boks, ku në një kanal u gjet trupi i pajetë i shtetasit M. B., 70 vjeç. Vihet në pranga fqinji i 70-vjeçarit, i cili nga hetimet e thelluara rezultoi se vrau këtë shtetas, me mjet prerës, pas një konflikti për motive të dobëta. Sekuestrohet mjeti prerës (sakicë), me të cilin u krye vrasja.

Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 19.10.2023, në fshatin Boks, Shkodër, ku në një kanal u gjet trupi i pajetë i shtetasit M. B., 70 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Shkodër, për të cilin paraprakisht u dyshua se e kishte humbur jetën, prej shkaqeve natyrale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe ata të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e qarkut, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, për të cilën u vu në pranga shtetasi: -Xh. Z., 60 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Shkodër, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Nga provat e siguruara dyshohet se 60-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (sakicë), në kokë, shtetasin M. B., i cili për shkak të goditjes, ka rënë në kanalin e fshatit Boks, ku u gjet i pajetë më pas. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (sakicë). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.”

Në lidhje me ngjarjen e rëndë kanë folur edhe fqinjët e viktimës dhe autorit, të cilët shprehen të tronditur nga vrasja e 70-vjeçarit, teksa thonë se nuk kishin dëgjuar më parë për probleme mes tyre, ndërsa e cilësojnë viktimën si një njeri të qetë dhe familjar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos