Sfidat aktuale të tregut mediatik kanë qenë në fokus të mbledhjes së 58-të të Platformës Europiane të Autoriteteve Rregullatore, EPRA, mbajtur në Bukuresht.
Me pjesëmarrjen e 56 autoriteteve rregullatore, anëtarë nga 47 vende të Europës, në këtë takim kanë qenë të pranishëm dhe prezantuan gjetjet e tyre edhe përfaqësues të Komisionit Europian, Këshillit të Europës, Observatorit Europian Audiovizual dhe ERGA-s, si vëzhgues të përhershëm të EPRA-s.
Si Presidente e Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore, Armela Krasniqi është ftuar të prezantojë në këtë takim të rrjetit më të madh dhe më të vjetër të autoriteteve europiane të medias audiovizive, perspektivën aktuale të tregut mediatik, parë në këndvështrim rajonal dhe europian tashmë. Në fjalën e saj, Krasniqi ka njohur pjesëmarrësit po ashtu dhe me aktivitetin e konkluzionet e nxjerra në asamblenë e 22-të Plenare të Rrjetit Mesdhetar, organizuar pak javë më parë në Tiranë.
“Format dhe rrugët e reja të komunikimit, të shtuara dhe të transformuara nga zhvillimi i teknologjisë, na kanë vënë përballë kushtesh të reja përshtatjeje dhe nevojës për hartimin e strategjive shtesë, siç e dikton tregu”, ka thënë në fjalën e saj Krasniqi.
Gjatë fjalës së saj, Krasniqi ka bërë me dije të pranishmit edhe për miratimin nga ana e MNRA dhe 5 rrjeteve të tjera të ngjashëm, të deklaratës së përbashkët me rastin e Konferencës Botërore të UNESCO-s “Interneti për besim. Drejt udhëzimeve për rregullimin e platformave digjitale për informacionin si një e mirë publike”.
I zhvilluar përmes një procesi konsultativ me shumë palë, kuadri rregullator global i propozuar nga UNESCO është publikuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Duke mbështetur qasjen dhe objektivat e UNESCO-s në mjedisin digjital, deklarata ripohon në veçanti mbështetjen e rrjeteve të rregullatorëve dhe sigurisë në internet për një sistem të pavarur rregullimi të përmbajtjes online, duke garantuar lirinë e shprehjes, por njëkohësisht edhe mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të tjera të njeriut. (A2 Televizion)
