Deputetët në Kuvend, minatorët në protestë: Statusi ynë, premtim elektoral! Largojnë Bylykbashin

Nga A2 CNN
19 Tetor 2023, 08:49 | Aktualitet
Deputetët në Kuvend, minatorët në protestë: Statusi

Qindra minatorë kanë dalë, ditën e sotme, në protestë për të ngritur zërin për të drejtat e tyre.

Me pankarta në duar ku shkruajnë “po vidhen miliona, ndërsa populli ha bukë thatë”, “Status i minatorit, premtim elektoral”, minatorët janë mbledhur përpara Kuvendit të Shqipërisë, teksa deputetët janë mbledhur në seancë parlamentare.

“Nuk kërkojmë as nga PS-ja, as nga PD-ja, po nga shtetit shqiptar, nuk durojmë shkelma se unë rashë përtokë, tjetrin e kanë goditur në organet seksuale dhe iku në spital, unë nuk jam as jugosllav e as grek”, tha një minator.

“Sot ne jemi të diskriminuar, kam luftuar 15 vjet nën tokë dhe i kam dhënë shtetit 250 mln, a ka mundësi të mbijetoj dhe unë, zonja kryetare e parlamentit, deputetët marrin 5 milionë, unë 15 mijë lekë, si të jetoj unë, mua më duhet 50 mijë lekë ilaçe, nuk meritoj dhe unë të jetoj? Si ka mundësi që në fushatë the nuk do ketë pension nën 20 mijë lekë, kanë kaluar vite dhe nuk është bërë asgjë, unë kam 30 vite pune dhe marr 15 mijë lekë, është gjynah, është mëkat, si ka mundësi që ne marrim gjysmë pensioni, në diktaturë merrnim 7 mijë lekë që janë si 700 mijë lekë sot”, tha një tjetër.

Në mbështetje të tyre ka shkuar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, mirëpo minatorët e kanë përzënë, pasi kanë deklaruar se nuk është një protestë politike.

Statusi i minatorit parashikon një sërë lehtësirash për shkak të vështirësisë dhe rrezikut që paraqet natyra e punës, mes tyre pension më të lartë, kontrolle shëndetësore falas, sigurim të familjes në rast humbjeje jete, ilaçe të rimbursueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos