Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite i asaj që konsiderohet si “pesëshja e madhe” euro-amerikane është që të dorëzojnë një plan të qartë për rikthimin e Prishtinës dhe Beogradit në dialog dhe për vendosjen e një plani konkret për normalizimin e raporteve.
Më herët, Kurti ka thënë se gjatë të shtunës do ta kuptojë kërkesën dhe atë që do të ofrojnë përfaqësuesit euro-amerikanë. Ai sërish e ka vënë theksin te siguria në vend, pa të cilën ka thënë se s’mund të ketë normalizim raportesh me Serbinë.
Ndërsa Bashkimi Europian ka njoftuar se vizita e “pesëshes së madhe” ka për qëllim progresin konkret në zbatimin e marrëveshjes dhe uljen e tensionimit të situatës. Zyrtarët euro-amerikanë do ta vizitojnë edhe Serbinë gjatë ditës. (A2 Televizion)
