Akuza e pranga për “Partizanin”, Berisha: Rama zyrtarizoi diktaturën politike

Nga A2 CNN
22 Tetor 2023, 08:36 | Politikë
Akuza e pranga për “Partizanin”, Berisha: Rama zyrtarizoi

“Burgimi do të thotë diktaturë dhe Sali Berisha po lufton diktaturën”.

Sali Berisha i konsideron të motivuara politikisht akuzat penale të ngritura ndaj tij dhe ato që çuan në pranga dhëndrin, Jamarbër Malltezi.

Duke e konsideruar një urdhër direkt të Edi Ramës, ai e cilëson arrestimin e familjarit të tij si zyrtarizim të vendosjes së diktaturës politike.

“Jamarbër Malltezi është i ndaluar për fajin e vetëm se është dhëndri i Sali Berishës. Dhe ju do e shihni këtë, do e faktoj këtë”, shtoi ish-kryeministri.

Edhe masa e sigurisë vendosur ndaj atij vetë, mendon se është marrë në shkelje të ligjeve që e mbrojnë si deputet i Republikës.

“Në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 73 të saj, i cili përcakton se liria e deputetit në çdo formë, lëvizje nuk mund të cenohet pa miratimin e parlamentit”.

Në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp thirrur mbrëmjen e të shtunës, A2 CNN e pyeti nëse këtë betejë ligjore do ta bëjë i vetëm apo do të përfshijë edhe Partinë Demokratike.

“Kjo është një diktaturë. Diktatura luftohet nga të gjithë ata që nuk pranojnë diktaturën. Dhe në këtë rast, siç kam thënë, nëse ka një njeri në botë që mund të faktojë qoftë edhe një shkelje të vetme, çfarë thonë ata në akuzë, unë tërheq çdo gjë”, u shpreh ai.

Arrestimit thotë se nuk i druhet.

“Asgjëje nuk i druhem unë. Besoj se unë e kam provuar, faktuar këtë gjë. Do të druhesha po të shihja se dëmtohej kauza, kjo përkundrazi ndihmon kauzën, motivon dhe më shumë”.

Sa i përket thelbit të akuzave, Berisha tha se klubi “Partizani” është nxjerrë nga plani i përhapjes së ushtrisë pa firmën e tij dhe atë të ish-presidentit Bamir Topi. Ndërsa theksoi se destinacioni ndryshoi në truall ndërtimi me firmë të Edi Ramës.

Për kthimin e pronës te ish-pronarët, Berisha tha se kjo është bërë nga Komisionet e Posaçme dhe gjykatat, përmes një procesi të nisur që në vitin 1994. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos