Lidhje të forta me Serbinë, riformatohet Lista Serbe, Zlatan Elek zgjidhet kryetar i ri

Nga A2 CNN
24 Tetor 2023, 14:38 | Ballkani



Zlatan Elek është kryetari i ri i Listës Serbe, duke zëvendësuar Goran Rakiç. Ai u zgjodh gjatë një votimi të hapur në seancën e kuvendit të kësaj force politike të mbajtur në Veri të Kosovës.

Elek ushtron aktualisht detyrën e drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut. Lidhjet e tij me Serbinë janë tepër të ngushta, gjë e cila lë të kuptohet se thuajse nuk do të ketë asnjë ndryshim në politikat e Listës Serbe.

Elek ka marrë pjesë në një sërë tubimesh, përfshirë atë të nëntorit të vitit të kaluar, pas dorëheqjeve masive të serbeve në institucionet e Kosovës. Në një fjalim të mbajtur në atë manifestim, ai tha se “serbët po mbijetojnë falë mbështetjes së presidentit Aleksandër Vuçiç”.

Ai ka ndihmuar retorikën e Beogradit duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk po lejon futjen e ilaçeve dhe se kjo po çon në një krizë humanitare.

Por, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës e ka mohuar këtë pretendim. Ndryshimet në kryesinë e Listës Serbe, erdhën një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë dhe dorëheqjes së agresorit Milan Radoiçiç nga posti i nënkryetarit. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos