OKB thirrje për armëpushim në Gaza, Izraeli kërkon dorëheqjen e Guterres

Nga A2 CNN
25 Tetor 2023, 08:10 | Bota
OKB thirrje për armëpushim në Gaza, Izraeli kërkon

Lufta në Gaza arrin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe shkakton një përplasje shumë të ashpër mes Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, dhe Izraelit. Ministri i Jashtëm ,Eli Cohen, i pranishëm në Nju-Jork, refuzoi ta takonte, ndërsa ambasadori izraelit, Gilad Erdan, kërkoi dorëheqjen e tij të menjëhershme, pasi Guterres mbajti një fjalim duke thënë se kishte “shkelje të qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar” në Gaza.

Sekretari i Përgjithshëm, António Guterres, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar një zgjidhje me dy shtete për konfliktin palestinezo-izraelit dhe një lirim  të menjëhershëm të të gjithë pengjeve “pa kushte”.

Pas kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme Palestineze ka dënuar thirrjen e Izraelit për dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke e përshkruar atë si një “sulm të paprovokuar”.

Në një postim në X, ministria palestineze e përshkroi pozicionin e Izraelit si një “zgjerim të mosrespektimit dhe mungesës së angazhimit të tij ndaj Kombeve të Bashkuara, Kartës së saj dhe rezolutat e OKB-së në lidhje me Palestinën”.

Sekretari amerikan i Shtetit Blinken u kërkoi anëtarëve të tjerë të këshillit që të marrin në konsideratë një rezolutë të udhëhequr nga SHBA-ja që bën thirrje për “pauza humanitare” për të lejuar ndihmën, por jo një armëpushim të plotë.

Të paktën 2000 fëmijë janë vrarë në Gaza gjatë 17 ditëve, sipas “Save the Children”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos