3 lustracione në Kuvend, Bylykbashi sfidë socialistëve për të miratuar projektligjin

Nga A2 CNN
6 Mars 2023, 16:33 | Politikë
3 lustracione në Kuvend, Bylykbashi sfidë socialistëve për

Kuvendi i Shqipërisë ka marrë tashmë në shqyrtim të tre nismat për lustracionin. Oerd Bylykbashi prezantoi në Komisionin e Ligjeve nismën e grupimit të Sali Berishës duke treguar kategoritë që prek ky ligj.

“Për të bërë lustracionin e kujt?! Të gjithë individëve duke filluar nga byroja, duke shkuar tek instrumentet e represionit institucional që regjimin komunist kishte, që përfshinë ministrinë e brendshme dhe gjithashtu bashkëpunëtorët, veçanërisht ata që në mënyrë aktive dhe të vullnetshme kanë bashkëpunuar me sigurimin e shtetit duke shkaktuar krime”, u shpreh Oerd Bylykbashi.

Nisma parashikon ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike të personave që kanë qenë pjesë e aparatit të dhunës së regjimit komunist, për të cilën Bylykbashi shprehet se pavarësisht kohës së ngushtë, mund të gjejë zbatim edhe për vendoret e 14 majit.

“Që të pengojnë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025 këtë kategori dhe po ashtu të vitit 2027 përzgjedhjet lokale. Për faktin që u vonua në diskutim dhe eventualisht në aprovim nuk kap dot zgjedhjet e vitit 2023, por dispozitat e ligjit janë të mjaftueshme se kush bie në sferën e këtij ligji do të duhet të lërë mandatin”, theksoi Bylykbashi.

Projektligji për t’u miratuar kërkon minimalisht një shumicë të cilësuar prej 84 votash të cilat opozita nuk i ka. Bylykbashi këtë e sheh si sfidë drejtuar moralit të maxhorancën, e cila gjithashtu ka depozituar një version të saj sa i përket lustracionit.

“Kërkon që edhe maxhoranca të investohet në këtë çështje, është në çmimin e saj dhe është përball publikut, sfida është për kryeministrin për ta pranuar apo jo këtë çështje”, vijoi deputeti dmeokrat.

Dy propozimet e prezantuara më herët, e grupimit Alibeaj dhe ajo e PS-së, nuk kishin nisur shqyrtimit në Kuvend në pritje edhe të draftit të tretë nga Bylykbashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos