3 muaj i vetëm në det të hapur për shkak të koronavirusit

Nga A2 CNN
6 Maj 2020, 08:49 | Bota

Ndërsa pjesa më e madhe e botës qëndron e mbyllur në shtëpi prej muajsh, krejt e kundërta ka ndodhur me Wong Tetchoong nga Singapori, i cili ka kaluar rreth 3 muaj i vetëm në det të hapur për shkak të... koronavirusit.

Një histori e denjë për film, të cilën 59-vjeçari e jetoi dhe për fatin e tij të mirë fundi ishte i lumtur, edhe pse mes vuajtjesh.

Ai u nis në lundrim me jahtin e tij modest më 2 shkurt, në ditët e para të shpërthimit të koronavirusit, kur shumica e rasteve ishin ende të kufizuara në Kinë, nga ku shpërtheu edhe pandemia. Lundrimi i Wong nisi së bashku me dy miqtë e tij nga Indonezia, por më 28 shkurt aventura e tij mori një tjetër rrjedhë, kur mbeti i vetëm, pasi dy miqtë e tij u larguan në vendin e tyre, teksa po mbylleshin kufijtë për shkak të frikës nga Covid-19.

Wong kishte tentuar të ankoronte në Indonezi, por nuk arriti pasi rrymat detare ishin shumë të forta. Kështu, ai vendosi të lundronte drejt Papua Guineas së Re.

Lundrimi i Wong

“Nga Indonezia lundrova për në Papua, por kur arrita atje, ata i mbyllën kufijtë dhe nuk më lejuan dhe vendosa të shkoj në ishujt Solomon”, është shprehur ai për “Fiji Sun”. “Edhe këtu nuk u lejova dhe vazhdova lundrimin drejt Tuvalu. Sërish e njëjta histori, por të paktën vendasit më siguruan ushqim të bollshëm”.

Pasi u refuzua nga 3 shtete për shkak të mbylljes së porteve, Wong nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të kthente “velat” e tij për në drejtim të ishujve Fixhi, një lundrim që i mori atij plot 6 ditë dhe 6 net në det të hapur.

Ai arriti në Fixhi më 28 prill dhe zbuloi se edhe aty siguria ishte rritur ndjeshëm. Megjithatë, 59-vjeçari nuk mund të largohej sërish pasi autopiloti i jahtit të tij ishte dëmtuar.

Dy net të tjera, ai qëndroi pranë portit, ku jahti i tij pësoi dëmtime të tjera nga era e forta dhe Marina e Fixhit e ndihmoi më në fund atë, ndërsa jahtin e ankoroi në port më 30 prill. “The Guardian” shkruan se Wong u lejua në Fixhi pas bisedimeve të qeverisë vendase dhe asaj të Singaporit.

Për “Fiji Sun”, Wong Tetchoong është shprehur se ai do të rikthehet menjëherë te gruaja dhe dy vajzat e tij në Singapor sapo kufijtë të hapen. “Është hera e parë që vij në Fixhi. Vendi këtu më pëlqen, por dua ta pranoj se nuk ishte një destinacion i planifikuar në këtë lundrim. Një falënderim i madh për Marinën vendase dhe qeverinë që erdhën dhe më shpëtuan”, ka thënë 59-vjeçari, i cili i shpëtoi dallgëve, por tashmë duhet të bëjë kujdes nga koronavirusi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos