
Alibaba ka thyer rekordin e vet të të ardhurave duke arkëtuar 30 miliardë dollarë brenda 24 orëve të dielën. Rekordi i mëparshëm i kompanisë më të madhe kineze të tregtisë online ishte 24 miliardë dollarë në një ditë.
Shifrat janë edhe më mbresëlënëse nëse merret parasysh ngadalësimi i ekonomisë kineze, por edhe konkurrenca në rritje në këtë industri si dhe lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shifra rekord është arritur në Ditën e Beqarëve, një ditë feste në Kinë për njerëzit që nuk janë në një marrëdhënie dashurore. Ajo festohet më 11 nëntor, ose 11/11, duke qenë se katër 1-shat simbolizojnë statusin shoqëror si “single”.
Tre shtetet kryesore ku Alibaba dërgon mallrat janë Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut, me Amerikën që ruan vendin e dytë pavarësisht tensioneve mes Presidentit Donald Trump dhe administratës në Pekin. Vetë CEO i Alibaba, Jack Ma, pati thënë në shtator se lufta tregtare po e dëmtonte biznesin e tij. (A2 Televizion)