
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për vrasjen e Anesti Ramës, 56 vjeç, në fshatin Frashër të Patosit dhe ka dërguar në gjyq vajzën e tij, Emanilda Rama, e akuzuar për vrasjen e të atit, si dhe bashkëshorten e viktimës, Valbona Rama, e akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 23 korrik 2025, në banesën e familjes. Nga hetimet dyshohet se Emanilda Rama i ka shtrënguar qafën të atit me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.
Pas ngjarjes, sipas organit të akuzës, Valbona Rama, bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, ka pastruar ambientin ku u gjet trupi dhe ka larë trupin e bashkëshortit, me qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve të krimit.
Në fazat e para të hetimit, vdekja e 56-vjeçarit ishte raportuar si aksidentale, por veprimet hetimore dhe provat e mbledhura çuan në dyshimet për një vrasje brenda familjes.
Prokuroria bën me dije se në përfundim të hetimeve janë analizuar deklarimet e personave të pyetur, ekspertiza mjeko-ligjore, këqyrja e vendit të ngjarjes, sendet e sekuestruara dhe prova të tjera të administruara gjatë hetimit.
Emanilda Rama është dërguar në gjyq për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa Valbona Rama akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. (A2 Televizion)