
Protesta e studentëve në Tiranë shënon sot ditën e 12-të, ndërsa në kryeqytet pritet të zhvillohen disa tubime në mbështetje të tyre. Krahas studentëve, solidaritet kanë shprehur pedagogët, artistët, punonjësit e medias, inxhinierët, arkitektët dhe përfaqësues të sindikatave.
Sipas gazetares së A2 CNN, Adelia Onuzi, Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias së Shqipërisë ka njoftuar se do të mblidhet në orën 11:00 përpara Kryeministrisë, për t’iu bashkuar më pas studentëve në protestën e paralajmëruar në orën 14:00 pranë Ministrisë së Arsimit.
Sindikata u ka bërë thirrje artistëve, punonjësve të kulturës dhe medias që të bëhen pjesë e tubimit, duke e cilësuar atë si një formë solidariteti me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.
Gazetarja Onuzi raportoi se thirrje për mbështetje kanë bërë edhe inxhinierët dhe arkitektët, të cilët pritet të bashkohen me studentët. Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar ka shprehur solidaritet me protestën.
Sipas gazetares, organizatorët e këtyre tubimeve kanë theksuar se angazhimi i tyre nuk lidhet me ndonjë parti politike, por synon të shprehë mbështetjen për qytetarët dhe kërkesat e studentëve. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë jo vetëm si profesionistë, por edhe si prindër dhe pjesëtarë të shoqërisë.
Ndërkohë, në zonën përreth Kryeministrisë janë konstatuar forca të shtuara policore, ndërsa qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e qytetarëve vijonin normalisht në momentin e raportimit. (A2 Televizion)