
Ministrja e Financave prezantoi në komisionin e ekonomisë paketën e re fiskale të vitit 2022. Në te parashikohet lehtësimi i taksimit të pagave, por edhe heqja e disa lehtësive fiskale, të kërkuara nga FMN.
Pikërisht te këto përjashtime dhe mbi ndikimin e tyre te bizneset dhe qytetaret u përqendruan edhe debatet.
Taksat e tatimet do të rëndojnë më shumë vitin e ardhshëm. Paketa fiskale 2022 e prezantuar në Kuvend, parashikon të sigurojë 5.2 miliardë lekë, apo rreth 42 milionë euro më shumë për arkën e shtetit, ndërsa premton lehtësi vetëm tek pjesa e taksimit të pagës, nga ku pritet të përfitojnë rreth 135 mijë individë.
Këto të ardhura shtesë do të mblidhen nga heqja e lehtësive të kërkuara nga FMN, që kanë prodhuar abuzime sipas analizës së Ministrisë së Financave, të tilla si rimbursimi i karburanteve për industrinë agro-industriale, përjashtimi nga importi i makinerive mbi 50 milionë lekë, apo kompensimi i prodhuesit bujqësor me 6%.
Ndryshimet ligjore parashikojnë unifikimin e taksës mbi gazin në 6 lekë/litër. Për automjetet kjo nënkupton një ulje të kësaj barre me 2 lekë, por për familjet që ngrohen dhe gatuajnë me gaz, nënkupton një rritje të çmimit, pasi deri dje ky produkt nuk taksohej për ta.
Paketa synon të vendosë drejtësi në furnizimin e anijeve lundruese turistike me karburant, të cilat deri dje nuk paguanin thuajse asnjë taksë. Kjo duke shtuar një taksë të veçantë prej 65 lekë për litër.
Ndryshime ndërkohë ka edhe për mallrat e akcizës, ku duhani pritet të shtrenjtohet çdo vit me nga 5 lekë për paketë për 5 vitet e ardhshme, ndërsa për alkoolet dhe produktet e tjera që sot paguajnë akcizë, është parashikuar rritja automatike në bazë të nivelit të inflacionit. (A2 Televizion)