Dokumentet e skaduara të identitetit, KQZ një mendje me PD: Kërkesë Ramës për të shtyrë afatin

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2021, 13:14 | Politikë
Dokumentet e skaduara të identitetit, KQZ një mendje me PD:

Komisioni Qendrori Zgjedhjeve do të kërkojë shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Kryetari KQZ-së, Ilirjan Celibashi deklaroi se aktualisht 932 mijë shqiptar nuk mund ta ushtrojnë dot të drejtën e votës nëse nuk adresohet ky problem.

“Marrë në konsideratë edhe shqetësimi ne partive të ndryshme politike por edhe të qytetarëve, KQZ do t‘i adresojë një kërkesë zyrtare Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë që të shtyhet afati i vlefshmërisë së këtyre dokumenteve të identifikimi të paktën deri në datën 30 prill”- u shpreh Celibashi.

Në këtë proces zgjedhor, KQZ ka për detyrë të jetësojë votimin e qytetarëve shqiptarë nga jashtë vendit, proces i cili duket se do të jetë vetëm pilot.

“Rreth 3400 qytetarë shqiptar të cilët jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë të cilët e kanë deklaruar vendbanimin e tyre. Nuk kam qenë asnjëherë optimist për këtë projekt por kam qenë dëshirëplotë. Me një numër kaq të vogël ekziston edhe mundësia që ne qoftë edhe si test mund edhe ta provojmë qoftë edhe për këto zgjedhje”.

Krahas votuesve nga jashtë, një tjetër problematike janë edhe ata të sëmurë me COVID. Aktualisht janë mbi 35 mijë raste aktive qytetarësh në karantinë, të cilëve të drejtën e votës duhet t’ua mundësojë politika.

“Ne nuk kemi asnjë lloj mundësie për t’u ofruar shërbimin e votimit atje ku ata banojnë. Është problem për hir të së vërtetës dhe duhet ta qasin në mënyrë institucionale dhe ligjore. Nëse partitë politike dhe parlamenti dakordësohen mund të bëjmë ndryshime në ligj për të gjetur një zgjidhje për këtë, por personalisht e shoh shumë të vështirë që të ketë një zgjidhje tjetër”- shtoi Celibashi.

KQZ duhet të marrë edhe një vendim tjetër të rëndësishëm që është kompozimi i fletës së votimit, sidomos sa i përket pjesës së preferencës së kandidatëve të një subjekti.

“E mira do të ishte që në fletën e votimit të jenë edh emrat e kandidatëve, por kjo varet nga numri i subjekteve zgjedhore që do të jenë në fletën e votimit”.

Vendimmarrjen për fletën e re të votimit, KQZ do ta marrë pasi partitë politike dhe koalicionet e regjistruara të depozitojnë pranë institucionit listën e kandidatëve për deputet, afati i fundit për të cilin është 8 marsi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos