Zgjedhjet e 25 prillit, Shameti: PS e ka të pamundur të bëjë vetingun e secilit kandidat

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2021, 10:46 | Politikë
Zgjedhjet e 25 prillit, Shameti: PS e ka të pamundur të bëjë

Deputeti socialist, Adnor Shameti, ishte i ftuar në studion e "Ditari", në A2, ku deklaroi se PS do bëjë çfarë është e mundur në përzgjedhjen e kandidatëve që nuk preken nga ligji i dekriminalizimit, por thekson se përgjegjësia është individuale.

Sipas tij, PS nuk mundet të bëjë vetingun e çdo kandidati, veçanërisht verifikimin e të dhënave për jashtë vendit që kërkojnë bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare.

“Është një çështje që ka pasur sensititivitet të lartë në të gjitha strukturat e PS. Kryeminsitri Rama është shprehur se ne do të jemi shumë të kujdesshëm si PS në përzgjedhjen e kandidatëve. Do zbatohen të gjitha elementet që parashikon si ligji për dekriminalizimin dhe ligjet e tjera. Do të prezantohen në kohën e duhur të gjithë kandidatët. Do bëhet çfarë është e mundur, në ato mundësi që lejon ligji dhe autoritetet vendore për të bërë verifikim të brendshëm, nga partia. Gjithsesi nuk mund të bëhet PS mbrojtëse e të dhënave të rreme që një individ bën në formularin e tij pasi ajo është përgjegjësi individuale.

Në mënyrë kategorike, përgjegjësia ligjore është përgjegjësi individuale. Gjithsesi, ne vlerësojmë kujdesin nga ana e përfaqësuesve diplomatikë dhe partnerët ndërkombëtarë pasi kujdesi i tepërt nuk ka vrarë njeri thoshte gjyshi im. Unë e kam thënë më shumë se një herë, se në mënyrë absolute është përgjegjësi individuale. Pasi është e pamundur për një subjekt politik, veçanërisht për një si PS që ka shumë kandidatë, ku aplikojnë shumë kandidatë që t'ia dalë me ato të dhëna që disponon sot të bëjë vetingun e secilit kandidat. Për të dhënat brenda vendit edhe mund t’ia dilet. Për të dhënat jashtë vendit, është e pamundur pa bashkëpunimin e agjencive ndërkombëtare”, shprehet Shameti.

Po ashtu, Shameti deklaroi se në lista do ketë shumë prurje të reja, ndërsa vetë ai do të kandidojë sërish në qarkun e Beratit.

“Më së shumti po. Ky është një proces. Nuk është që lista mund të bëhet me një të rënë të lapsit. Do ketë prurje të reja. Sikurse do të jenë pjesë e listës socialiste një numër i lartë i deputetëve ekzistues dhe prurje të reja në të gjitha qarqet. Të gjitha vendimet do të jenë objekt i mbledhjes së kryesisë. Kryesia e PS do t’i vërë vulën. Unë do të jem kandidat sërish në qarkun e Beratit, duke mbuluar këtë qark.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos