A duhet të bëhet vaksinimi me detyrim? Dasho përgjigjet në A2

Nga A2 CNN
10 Gusht 2021, 21:07 | Aktualitet
A duhet të bëhet vaksinimi me detyrim? Dasho përgjigjet në

Mjeku Erion Dasho deklaroi në “Ditari” në A2 se vaksinimi nuk mund të bëhet dot i detyrueshëm për qytetarët, por shtoi se “shteti ka detyrim që të mbrojë shëndetin publik”.

“Asnjë procedurë mjekësore nuk bëhet dot e detyrueshme, është e drejta e njeriut që të vendosë lirisht mbi shëndetin e vet. Nga ana tjetër, shteti ka detyrim që të mbrojë shëndetin publik. Sot kemi masën e vaksinimit, që është masë me rreziqe minimale dhe me siguri të provuar. Shoqëria ka të drejtë ta promovojë këtë masë, por jo t’ia japë me detyrim qytetarëve. Sot, Gjermania vendosi që të bëjë të mundur vaksinimin falas dhe që qytetari ta zgjedhë vaksinën. Nëse nuk ka sërish dëshirë të vaksinohet, në disa shërbime argëtuese apo palestra, duhet të plotësojë një nga tre kushtet: të jetë i vaksinuar, të provojë që ka kaluar Covid-19 ose të ketë test negativ”, tha Dasho.

Mjeku shtoi se “Gjermania nuk do të shikojë më rastet e reja, por numrin e personave të shtruar në spital dhe numrin e vdekjeve”.

“Për aq kohë sa këto indikatorë do të jenë në kushte normale, do të vijojë jeta normale. Jetë normale do të thotë që nëse refuzon të vaksinohesh, në kinema apo pishinë duhet të tregosh test negativ. Deri më sot, çdo gjerman mund ta bëjë falas testin një herë në javë. Nga shtatori, testi do të bëhet vetëm me pagesë. Disa mund ta përkthejnë si detyrim këtë gjë, por personit nuk i thuhet në asnjë moment se duhet të bëjë vaksinën”, shtoi Dasho.

Në lidhje me vendin tonë, mjeku u shpreh: “Duke qenë se 2 milionë shqiptarë kanë fituar imunitet natyral, të ishin marrë 3 masa. Së pari, Shqipëria duhet të vendoste kontrollin në kufi për të minimizuar hyrjen e variantit Delta. Së dyti, nuk duhej bërë vaksinimi me Coronavac në masë sepse nuk ishte e nevojshme që dikush që e kishte kaluar Covid-19 të merrte dy doza nga vaksina kineze. Së treti, çdo personi t’i ofrohej mundësia për një vaksinë Moderna apo Pfizer. Nëse këto masa do të merreshin që në prill, sot do të ishim në situatë shumë më të ndryshme. Po të kishin mundësi shqiptarët që të zgjidhnin, do të kishin zgjedhur Pfizer apo AstraZeneca dhe do të kishim jo 60 mijë, por 600 mijë shqiptarë të vaksinuar. Praktika ka treguar që efektet anësore të vaksinës janë shumë të rralla, nuk ka dyshim që vaksina funksionon”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos